Numri i aksidenteve me fatalitet nëpër rrugët e Kosovës vazhdon të jetë i lartë.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga një janari i këtij viti e deri më tani 22 persona kanë humbur jetën, nëntë prej të cilëve ishin këmbësorë.
Në shumicën e rasteve shkaktar për këtë është pakujdesia dhe mosrespektimi i rregullave në trafik. E shqetëson fakti se pjesa dërmuese e viktimave kanë pësuar në vendkalimet për këmbësorë.
Vozitësit e papërgjegjshëm, të cilët nuk po respektojnë shenjat ne komunikacion, po rrezikojnë jetën e qytetarëve të cilët lëvizin në vendkalimet për këmbësorë, duke e rritur edhe numrin e aksidenteve me fatalitet.
Kështu tha për Radio Kosovën komandanti i Policisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Milaim Fejzullahu. Ai thotë se pakujdesia e vozitësve po u kushton me jetë qytetarëve.
“Prej një janarit deri me tani kur po raportojmë, fatkeqësisht i kemi nëntë aksidente, të cilat fillimisht kanë qenë aksidente me lëndime të rënda trupore e pastaj kanë kaluar në aksidente me fatalitet. Fatkeqësia tjetër është së në të gjitha këto aksidente janë të përfshirë këmbësorët”, tha ai.
Fejzullahu thotë së jemi duke bërë përpjekje që deri në fund të vitit të arrijmë rezultate që t’i parandalojmë këto aksidente.
Ai thotë se nëse qytetarët goditen në zebra, ata në asnjë mënyre nuk janë fajtorë, duke fajësuar vozitësit, të cilët nuk po i respektojnë shenjat e komunikacionit.
“Nëse këmbësorët janë në zebra, në asnjë mënyrë, ata nuk mund të jenë fajtorë, sepse këmbësori në zebra çdo herë e ka përparësinë e kalimit, por që fatkeqësisht kemi raste që po na ndodhin në qendër të Prishtinës. Këtu kemi të bëjmë thjesht me pakujdesinë e vozitësve që nuk po respektojnë shenjat, veçanërisht vendkalimet për këmbësorë, prandaj për këtë arsyeje kemi pasoja”, tha ai.
Fejzullahu thotë se kemi raste kur në rrugët magjistrale mungon sinjalistika, por në rastet më të shpeshta për këmbësorët nuk krijohen kushte si: mbikalime, nënkalime, varësisht ku është nevoja, dhe ne momentin që këto mungojnë, qytetarët rrezikojnë duke kaluar barrierat dhe në këto raste ndodhin aksidente me fatalitet.