Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit H. A.
Sipas raportit të Themelores, ekziston dyshimi i bazuar se më 23.10.2018 në Gjilan i pandehuri H. A. në bashkëpunim me të miturit A. K. dhe F. B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vrazhdë kanë marrë çantën të dëmtuarës Sh. S., në të cilën kishte disa të holla dhe një telefon mobil, njofton Klan Kosova.
Me këto veprime të pandehurit, kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit H. A., pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek e dëmtuara dhe tek të miturit e lartcekur.
Ndërkohë, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për të Mitur ka caktuar masën lajmërim në Stacionin Policor në Gjilan për të miturit A. K. dhe F. B., potencohet në kumtesën e dërguar.