Javën e fundit Kosova u trondit nga dy vrasje që ndodhën në kazino. Të shtunën një 36-vjeçar u vra me armë zjarri në një kazino në rrugën e Reshanit në komunën e Suharekës, ndërsa një i ri tjetër u vra të mërkurën mbrëma në një kazino në qytetin e Lipjanit. Pas këtyre dy rasteve në po këto dy qytete do të mbahet peticion për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, ndërsa seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e këtij ligji ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shkruan Zëri.
Zëdhënësja për informim në Administratën Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi, për “Zërin” ka deklaruar se në Kosovë nuk ka të regjistruar asnjë kazino.
Aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë kazino të regjistruar dhe ne nuk kemi pasur asnjë kërkesë për regjistrimin e bizneseve të tilla”, ka pohuar ajo.
Sipas saj, kërkesat që duhet plotësuar për të regjistruar një biznes të tillë mund të jetë shkaku pse deri më tani nuk është regjistruar asnjë biznes i tillë.
Njëherë ka qenë një kërkesë, por më pas është tërhequr kërkesa e tyre për shkak se për ta regjistruar një biznes të lojërave të fatit është pak më ndryshe. Individi i cili planifikon që ta hapë një kazino duhet të paguajë tatim 1 milion euro dhe 2 milionë të tjera duhet t’i ketë në konto për të garantuar rregullin ligjor. Ndoshta është kjo për shkak të çmimeve, mirëpo në Kosovë nuk ka kazino, mundet të ketë lojëra të fatit”, ka thënë ajo. /ZERI