Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nëpërmjet një komunikatë për media reagon në lidhje me vrasjet e fundit që kanë ndodhur në dy kazino si dhe për miratimin e një rezolute nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Deklarata e KMLDNJ-së:
Sipas KMDLNJ-së pas vrasjeve në dy kazino (Mushtisht dhe Lipjan) të personave të punësuar, me të drejtë pati reagime të opinionit e të cilat pastaj u bartën te institucionet që, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës miratuan një rezolutë që të mbyllen kazinotë dhe lojërat e fatit për një periudhë 10 vjeçare pasi të jenë përmbushur procedurat ligjore për ndalimin e lojërave të fatit përmes ndryshimit të ligjit.
Sipas KMDLNJ për më keq, ministri i Financave Bedri Hamza ka deklaruar se asnjë kazino në Kosovë nuk ka pasur licencë pune e që nënkupton përgjegjësinë e shtetit që e ka lejuar këtë aktivitet , për një kohë aq të gjatë.
Kazinotë dhe lojërat e fatit në Kosovë , duke punuar pa leje dhe në një terr informativ, si pasojë kanë pasur disa raste që kanë përfunduar me fatalitet, ka pasur plaçkitje të armatosura dhe kanë shkaktuar shumë probleme personale (të frekuentuesve) si dhe tragjedi familjare.
Po të njëjtën ditë kur është mbajtur seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, Policia e Kosovës, Dogana dhe ATK ka filluar një aksion të bastisjeve të kazinove dhe lokacioneve të lojërave të fatit.
KMDLNj shpreh keqardhje dhe hidhërim për humbjen e jetëve të cilët, duke u detyruar ta bëjnë një punë për vete dhe familjen, kanë bërë punë që në rrethana tjera mbase nuk do ta bënin. Mbyllja e kazinove dhe lokacioneve të lojërave të fatit sipas KMDLNj-së nuk do ta ulin shkallën e kriminalitetit por rrtitja e pranisë së shtetit ligjor, kontrollet dhe mbikëqyrja e rregulltë, duke i detyruar t’i përmbahen rregullave fiskale, sigurisht se do të ndikonin dhe do të kontribuonin në uljen e krimit si dhe në rritjen e shkallës së mbledhjeve të taksave dhe tatimeve e që nuk është bërë deri më tani.
Për fat të keq ka pasur raste kur gjatë plaçkitjes së institucioneve financiare dhe bankave ka pasur viktima por se nuk është mbyllur institucioni apo aktiviteti.
KMDLNj vlerëson se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit mund të ketë efekt momental për ulje të kriminalitetit i cili pastaj do të drejtohej në adresa ku mendohet të ketë para.
KMDLNj kërkon përgjegjësi nga ata që kanë lejuar që kazinot të punojnë pa licencë një kohë të gjatë sikur që kërkon që këto kazino dhe lojëra të fatit të detyrohen të paguajnë taksa dhe tatime në mënyrë retroaktive një pjesë e së cilës pastaj do të shkonte familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre nga ky aktivitet kriminal i lejuar.
Gjithashtu, KMDLNj mendon se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit nuk mund të afatizohet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ky pezullim nuk mund të zbatohet gjeneralisht por vetëm në raste të caktuara, sikur që veprohet edhe për bizneset tjera.
Çështja e kazinove dhe lojërave të fatit nuk është trajtuar nga shteti dhe ligji por ka pasur mbrojtjen e shtetit duke e fituar statusin e pandëshkueshmërisë.
Mbyllja e këtij segmenti që me mbrojtje të shtetit është shndërruar në krim të organizuar me shumë përfitime vetëm sa do të krijojë një situatë kur nga një gjendje e ilegalitetit të lejuar (duke punuar pa licenca) do të kalojë në një ilegalitet ilegal që do të përshkallëzojë situatën e sigurisë duke pasur edhe më shumë viktima si dhe evazion fiskal për faktin se mbledhja e tatimeve dhe taksave do të ishte 0%. Nëse qeveria e krijon një ligj efikas që e rregullon këtë fushë do të kishim një situatë tjetër kur, duke i mbajtur nën kontrollë rreptësisht këto veprimtari, krimi do të ulej sikur edhe buxheti i Kosovës do të mbushej me taksa dhe tatime të painkasuara deri më tani.
E drejta e të bërit biznes dhe e drejta për punë janë të drejta të njeriut dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të paragjykojë se cili biznes apo veprimtari mund ta rrisë shkallën e kriminalitetit. Dështimi i institucioneve të shtetit dhe moszbatimi efektiv i ligjit krijon kushte për rritje të shkallës së kriminalitetit dhe krimit të organizuar.
Ata që e propozojnë ligjin e ri për lojëra të fatit duhet të kenë parasysh të drejtat e njeriut dhe KMDLNj nuk mendon se pezullimi 10 vjeçar e zgjidhë problemin. Përkundrazi , vetëm sa do të shtohet numri i lokacioneve ilegale ku do të zhvillohet kjo veprimtari tash edhe pa kontrollë edhe simbolik të shtetit.
Ashpërsimi i politikës ndëshkuese përmes zbatimit efektiv dhe jodiskriminues të ligjit është e vetmja mënyrë që zgjidhë problemin e kazinove dhe lojërave të fatit. Çdo zgjidhje parciale apo kozmetike vetëm se e favorizon këtë, deri më tani aktivitet kriminal duke i dhënë konotacion dhe ngjyrime si armë për qëllime ekskluzivisht politike.