Një vit ka kaluar që nga ratifikimi i Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, që shihej si parakushti kryesor për liberalizimin e vizave.
E as një vit pas, Kosova jo që nuk e ka fituar liberalizimin e vizave, por rrezikon që as këtë vit mos të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave, nga ku do të merret vendimi final.
Në lidhje me këtë çështje për lajmi.net ka kontaktuar me eurodeputeten dhe njëherit raportuesen për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.
Ajo vë në dukje periudhën e vështirë në të cilën ky proces mund të shkojë tutje për shkak të zgjedhjeve në BE.
Megjithatë, ajo thotë se liderët e Bashkimit Evropian duhet të marrin mbi supe përgjegjësinë, dhe t’i japin Kosovës atë se çfarë e ka merituar, liberalizimin e vizave.
Qeveritë e BE-së kanë dështuar të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi ende duke pritur për ta, dhe unë vazhdimisht u kam bërë thirrje liderëve të BE-së që të marrin përgjegjësi dhe t’u japin kosovarëve atë se çfarë e meritojnë. Unë jam në dijeni të situatës së vështirë. Unë jam e vetëdijshme për situatën e vështirë në terren, por gjithashtu u bëj thirrje liderëve në Kosovë që të plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme”, ka thënë ajo.
Fajon kujton: Në BE ne jemi në vitin e zgjedhjeve, dhe periudha është shumë e vështirë. Por, unë dua të ruaj qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën edhe për kohën pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, kam në plan të siguroj mandatin tim për EP të ardhshëm pas zgjedhjeve. Ne duhet të punojmë krah për krah me autoritetet e Kosovës dhe do të bëj gjithçka në fuqinë time për të mbështetur vendin tuaj në rrugën e saj drejt BE-së dhe për liberalizimin e vizave të bëhet realitet sa më parë të jetë e mundur.”
E në pyetjen se a lidhet liberalizimi i vizave me heqjen e taksës, përgjigja e Fajon ka qenë e prerë: Jo.
Megjithatë, Fajon ka thënë se mund të ketë implikime politike në këtë proces.
Siç thotë ajo, Qeveritë e vendeve të BE-së mund ta marrin si arsyetime hapat dhe vendimet e marra nga Prishtina, dhe të votojnë kundër liberalizimit.
“…jo. Liberalizimi i vizave është një proces teknik. Por sigurisht, aty ka edhe implikime politike. Qeveritë skeptike të BE-së mund të përdorin një ose më shumë arsyetime për këtë çështje. Fatkeqësisht ky është një realitet politik, e pëlqyem ose jo. Një hap i konsideruar i panevojshëm i Kosovës nga ndërkombëtarët mund ta rrezikojë liberalizimin e vizave”, thotë Fajon.
Tutje eurodeputetja thotë se qëndrimi i saj është në një vijë me atë të BE-së, se Kosova duhet ta heq taksën sa më shpejtë të jetë e mundur, dhe t’i japë mundësi vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, Fajon thotë se shpresat nuk duhen humbur.
Sipas saj, vitin e zgjedhjeve në BE, Kosova duhet ta kthejë në favor të vetin, dhe ta forcojë imazhin e shtetit.
“Kosova duhet ta forcojë imazhin e saj dhe të bëhet partner i përgjegjshëm i BE-së. Kjo është e vetmja mënyrë për garantimin e heqjes së vizave, por edhe për vazhdimin e rrugës evropiane”, ka thënë eurodeputetja Fajon.
Ndërkaq, optimist për liberalizimin e vizave është shprehur kryeministri Haradinaj.
Ai gjatë javës së kaluar deklaroi se nuk mund të përjashtohet mundësia që kjo të ndodhë në qershor të këtij viti.