Familja e Shefki Hysen Rashitit rrjedh nga fshati Ramabajë e Jabllanicës. Gjatë shpërnguljes së shqiptarëve nga rrethet e Nishit, Prokupljes, Toplicës, Leskovcit, Vrajës, Jabllanicës, etj., të cilët me dhunën që e ushtruan forcat serbe ndaj shqiptarëve, edhe familja e Shefki Rashitit u detyrua të largohet nga këto teritore dhe të vendoset në Dragancë afër Gjilanit, në të cilin fshat më 2 gusht 1963, u lind heroi i kombit Agim Rashiti.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku në trojet shqiptare vecohet Masakra e Gjilanit, vlen të theksohet se në fshatin Dragancë u vranë, apo masakruan rreth 25 shqiptarë, ku nga ta dhjetë ishin nga Familja Rashiti.
Kjo dëshmon se Agim Rashiti u rrit në një familje me tradita kombëtare, madje njëri nga familjarët dha jetën, duke e mbrojtur qytetin e Tepelenes nga forcat Nazi-fashiste.
Shefki Hysen Rashiti i martuar me Salie Hajdari Kllokoqi, krijuan një familje me gjashtë fëmijë: Rashiti, Remzija, Agimi, Ymrija, Hyseni dhe Rrahimi.
Agim Rashiti vecohej për një intelegjencë dhe guxim të jashtëzakonshëm. Meqë, familja Rashiti u vendos në Gjilan, përkatësisht në lagjen “Dheu i Bardhë”, Agimi regjistrohet në shkollën fillore “Musa Zajmi”, pastaj kalon në objektin e ri shkollor “Selami Hallaqi” dhe shkollën e mesme e vazhdoi në gjimnaz, i cili më 1980 u regjistrua në klubin sportiv të boksit “Partizani” të Gjilanit. Agim Rashiti me një talent të rrallë në sport në vitin 1981 shpallet Kampion i Kosovës për të rinj. Përvec sportit ai kishte talent edhe në letërsi, shkruante poezi të shumta.
Në vitin 1985 martohet me Nazlie Shkodra, me të cilën edhe krijojnë familje, ku në vitin 1986, ju shtohet në jetë vajza e vetme Majlinda.
Agimi i rritur në një familje atdhetare, me një vetëdije të plotë kombëtare, me një fizik të tonifikuar, nuk mund të rrinte i distancuar nga ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë, me ide të clirimit nga zgjedha serbe dhe bashkimit kombëtar.
Në demostratat e viteve 1988-1989, Agimi gjimnonë ishte ndër të parët për veprim, duke organizuar shumë të rinj, që demostratat të ishin sa më masovike, dhe se armiku të mos mendonte se cështja shqiptare i përket një grupi të caktuar, por kjo cështje i përket të gjithë shqiptarëve.
Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Regjimi i Millosheviqit dhunshëm dhe me forca ushtarake e policore pezulloi autonominë e Kosovës.
Prandaj, më 27 mars të vitit 1989, në Gjilan, Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Kosovës, filluan demonstratat, si dhe përleshjet e protestuesve shqiptarë me forcat e shumta policore serbe e jugosllave. Rinia shqiptare ishte më e vendosur se kurrë. UDB-a filloi të dallonte demonstruesit më të vendosur dhe filloi t’i arrestonte disa sish.
Në këtë përballje të fuqishme të rinisë shqiptare kundër forcave policore okupuese serbo-jugosllave, vecohej heroizmi i heroit Agim Rashiti, i cili si i ri, entuziast dhe trim me shokë zunë radhët e para, ballë për ballë me armikun. Ai ishte aktiv me afishe, parulla dhe thirrje për liri dhe ribashkimin e popullit shqiptar përmes së cilave iu bëhet thirrje popullit për zgjim kombëtar. Madje, ai thoshte se: nuk do të pushojë së vepruari për kauzën kombëtare shqiptare me asnjë çmim. Agimi binte në sy për fizikun e tij dhe se armiku shënjestroi kampion e Kosovës, dhe ishte i vetëdijshëm se me grushta nuk do ta mundin dot, gjerësa gjendet në ballë të demonstruesve, duke iu prirë demostruesve, Agimi me një armë snajper qëllohet në kokë, pastaj dërgohet për shërim urgjent në Prishtinë.
Operohet dhe mjekohet deri më 28 mars, kur ndrron jetë në kliniken Kirurgjike dhe Ortopedike në Prishtinë. Më 29 mars, përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, Agimi u varros në praninë e mijëra qytetarëve e miqve anë e mbanë shqiptarisë.
Me rënien e Agimit, demostratat u bënë edhe më inkluzive, prandaj shumë të rinj e të reja mburreshin me vepren e Agimit, i cili u bë frymëzim, motivim për të gjithë demostruesit. Rrugën e tij për clirimin e Kosovës e ndoqi edhe vëllai i tij Rrahim Rashiti, i cili nga Perendimi, rradhitet në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Kontributi i Agim Rashitit, Rrahimit, familjes Rashiti e shumë dëshmorëve e veprimtarëve gjatë rrjedhave kohore historike, kurorëzohet me lirinë të cilën e gëzojmë ne sot.
Lavdi për jetë e mot veprës së Agim Rashitit, Lavdi për të gjithë të rënët për liri!
Punoi: Ma. Blerim Haziri