Agjensia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ka shkruar sot për vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e lojërave të fatit për 10 vjet. Sipas Reuters, ky vendim i Qeverisë ka ardhur pas dy grabitjeve të armatosura që ndodhën së fundi në kazino ku mbetën të vdekur dy persona.
“Pas vdekjeve, zyrtarët e doganave bastisën me dhjetëra dyqane të lojërave të fatit dhe gjetën se shumë prej tyre vepronin në mënyrë të paligjshme. Më shumë se njëqind makina të lojërave u konfiskuan”.
“Vetëm një lotari e kontrolluar nga shteti do të jetë në gjendje të veprojë, tha kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një seance të martën, në të cilin Kabineti i Qeverisë votoi për të mbështetur ndalimin 10-vjeçar”.
“Është kaos total, një abuzim total dhe është mirë që ne po e ndalim këtë”, tha Haradinaj në një konferencë shtypi. Propozimi i ndalimit tani do të dërgohet në parlament për miratim”.
“Industria e lojërave të fatit është rritur me shpejtësi në dhjetë vitet e fundit. Shoqata e Lojërave të Fatit të Kosovës thotë se 4000 persona janë të punësuar në këto biznese. Ruzhdi Kosumi, i cili zotëron 14 dyqane të lojërave të fatit, tha se 40 punëtorë të tij do të mbeten të papunë”, shkruan Reuters.