Bashkësia ndërkombëtare “ka ashpërsuar” thirrjet për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, teksa me këtë gjë po kushtëzohet edhe heqja e vizave dhe integrimi i Kosovës në BE. Përfaqësuesit e partive politike thonë se me “izolimin” e kosovarëve BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën.
Shkodran Ramadani, njohës i çështjeve politike, për “Zërin” ka thënë që Bashkimi Evropian me mosheqjen e vizave për kosovarët po dëshmon që nuk është e unifikuar si organizatë. Sipas Ramadanit, opsion real për zvarritjen e këtij procesi është edhe shfrytëzimi i kësaj çështjeje me qëllim që Kosova të punojë më shumë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Institucionet e BE-së janë duke u treguar të pafuqishme karshi shteteve anëtare të kësaj organizate. Politika dhe rekomandimet e zyrtarëve të BE-së po hasin në “veshë të shurdhër” nga vendet e BE-së, por Kosova më nuk ka faj dhe faji mund të gjendet te mungesa koherente te shtetet e BE-së. Pra BE-ja po del që nuk ka një politikë të unifikuar karshi Kosovës, por nuk mund të përjashtohen edhe variantet tjera që liberalizimi i vizave të mos jepet si mjet për të ushtruar presion politik që Kosova të përkushtohet më shumë në dialogun me Serbinë”, ka thënë Ramadani.
Ndërkohë Ramadani ka theksuar se ndonëse ndaj Kosovës ishte ushtruar shumë presion për arritjen e një marrëveshjeje me Malin e zi, tani një vit pas qytetarëve u është bërë padrejtësi me mosdhënien e vizave. “Ndaj Kosovës ishte bërë shumë presion që të ratifikohet Marrëveshja me Malin e Zi si kriteri i fundit për liberalizim të vizave dhe Kosova pas një bllokade të gjatë ia doli që ta ratifikojë atë, Komisioni Evropian ka pohuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, madje më shumë kushte sesa vendet e tjera. Tash për shkak të një klime jo të përshtatshme nga vendet e BE-së, vende të cilat do të votojnë veç e veç për heqjen e vizave për Kosovën, është duke u hezituar dhe janë skeptikë, kjo gjë përbën padrejtësi nga BE-ja për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai. /ZËRI