Shkruan: Granit Tërstena
Në një vend aq të vogël si Kosova, sa për ta marr hartën botërore na duhet një mikroskop për ta gjetur atë, disa persona çohen dhe mendojnë aq thellë, saqë sipas tyre, një nga derbit më të vlerësuar në Ballkan (Gjilani-Drita) nuk bën të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, në stadiumin që mban emrin e legjendës kosovare “Fadil Vokrri”.
Në stadiumin që u ndërtua nga populli, nga 1.8 milionë banorët, si prishtinas ashtu edhe gjilanas. Në një vend që mbahet gjallë nga njerëzit që vijnë nga qytetet përreth.
Pse nuk ndaleni dhe të mendoni për të mirat që mund t’i sjellë kjo ndeshje midis Prishtinës, ashtu siç ju sjellin ndeshjet e Kosovës, me tifozët të cilët e mbushin stadiumin me afro 13 mijë ulëse?
Mendoni për të hyrat ekonomike që mund t’i sjellë një organizim i tillë. Mos ndoshta keni frikë që po i bëni mirë “vllaut” në këtë rast? Jemi mësuar ta shkelim njeri-tjetrin, prandaj jemi ku jemi.
Të gjithë i dimë kushtet që i ka stadiumi i Gjilanit, pra vendi ku mund të rregullohet me paratë e shtetit (paratë tona) dhe që është në projekt me vite të tëra.
Ndoshta Gjilani e meriton më së shumti ta ketë stadiumin e njejtë si të Prishtinës, falë këtij derbi që ka një super-shikueshmëri.
Tifozët e Prishtinës ‘Plisat’ kanë dalë kundër që ky derbi të mos luhet në stadiumin e ‘tyre’, por po harrojnë që për gati dy vite skuadra e tyre e zemrës vazhdimisht ka zhvilluar takimet në konak të huaj, fillimisht në Obiliq më pas në Drenas e dikur edhe në Pejë.
Kosova është vend i vogël dhe përderisa janë këto kushte katastrofale, edhe po të zhvilloheshin të gjitha ndeshjet e Superligës në stadiumin e Prishtinës, nuk duhej të ishte problem./periskopi/