Rreth 19 mijë veteranët e luftës në Kosovë do të vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit, pavarësisht pretendimeve për keqpërdorime dhe fryrje të listave.
Kjo pasi Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, që kërkoi që këto pagesa të pezullohen derisa të përfundojë gjykimi në rastin e veteranëve.
Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj Ministrisë së Mirëqenies Sociale, si palë e tretë, raporton KTV.
Aty shtohet se Prokuroria nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për të kërkuar masë të përkohshme.
“Me dispozitën ligjore të nenit 458 të Kodit të Procedurës Penale, parashihet se gjatë procedurës penale, sipas propozimit të personave të autorizuar, mund të parashtrohet dhe vendoset kërkesa pasurore juridike, e cila ka ardhur si pasojë e rrjedhojë e kryerjes së veprës penale, e cila mund të përfshijë kompensimin e dëmit, kthimin e sendit ose anulimin e një veprimi të caktuar juridik”, thuhet në vendim.
Por, Ramë Gashi, avokat i Agim Çekut, thotë se ata ishin të bindur se kërkesa nuk do të aprovohej, sepse ishte e kundërligjshme.
Në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, i janë gëzuar këtij lajmi.
Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon 12 persona, anëtarë të Komisionit Qeveritar për verifikimin e veteranëve, për mashtrim me lista të veteranëve.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbim Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu dhe 7 persona tjerë.