Ka pasur dhe ka raste të shpeshta në Superligën e Kosovës në futboll kur dy vëllezër kanë luajtur në të njëjtin ekip apo ndaras, por nuk mbahet mend të ketë pasur dy binjakë në të njëjtën skuadër.
Por, që nga stinori pranveror që ka nisur në mesin e muajit shkurt, Superliga i ka dy binjakë që luajnë të skuadra e Gjilanit.
Bëhet fjalë për Razak dhe Aziz Keitan, që vijnë nga Bregu i Fildishtë dhe për herë të parë flasin për Sportin në KTV.
“Quhem Keita Rezak. Jam qendërsulmues. I kam 22 vjet. Ka një muaj e gjysmë që jam këtu. Ne jemi këtu për të ndihmuar ekipin”, u shpreh Razak Keita.
Derisa Aziz Keita thotë se dëshiron ta ndihmojë Gjilanin në objektivat e saj.
“Mua më quajnë Keita Aziz. Unë luaj në pozitën e mesfushorit defanziv. Jam në Gjilan qe një muaj e gjysmë dhe jam këtu për ta ndihmuar ekipin në të gjitha planet që ka. I kam 22 vjet”, u shpreh Aziz Keita.
Të dy tregojnë për momentet e para që kanë ardhur te Gjilani si dhe një problem me të cilin janë ballafaquar me të zbritur në Kosovë.
“Ne po punojmë dhe kemi një ekip të mirë. Gjithçka është mirë këtu. Jemi si një familje. Nuk ka dallime, të gjithë janë të barabartë Afrika, Kosova, për të gjithë është njëjtë. Kur kemi ardhur këtu ka bërë shumë ftohtë. Nuk ishim të ambientuar asisoj, mirëpo nëse të gjithë mund të luajnë në temperatura të tilla pse të mos luajmë edhe ne”, tha Razak Keita.
Kurse Aziz Keita shtoi, “Ne kemi një objektiv, ta ndihmojmë ekipin, për të luajtur, nuk do të ketë Evropë, por dhashtë Zoti atë do të arrijmë. Ajo që ka shkuar mbaroi, por ne kemi një ekip të mirë dhe nëse gjithçka shkon mirë mund ta arrijmë vitin tjetër. Këtu është një ambient i mirë . Të ftohtit duhet adaptuar. Ne jemi këtu, të ftohtit kaloi. Bora mbaroi. Nuk ka problem”.
Vëllezërit Keita zbulojnë se si njerëzit nuk mund t’i dallojnë, pasi ngjajnë shumë si dhe tregojnë se cili ka lindur i pari.
“Jemi binjakë, ja Rezaku, ja Azizi, njerëzit na ngatërrojnë shumë”, shprehet Razak.
Aziz Keita tregon se ai kishte ardhur i pari në Kosovë.
“Jemi binjakë, ka tre vite që luajmë në klube të njëjta, në Arabinë Saudite, në Oman dhe tashti këtu. Unë erdha i pari, ai i dytë. Ky është vëllai im i madh. Është e njëjta gjë”, u shpreh ai.
Razak dhe Aziz, që kanë ardhur në janar te Gjilanit kanë arritur të zënë vendet e titullarëve. Deri me tani, Razak ka realizuar një gol, kurse Aziz ende jo.
Sa i përket gjuhës shqipe, e kanë mësuar vetëm një fjalë, që u shërben shumë në fushë.
Ndërkaq, me ushqim thonë se nuk po kanë problem dhe po u pëlqen shumë.
Të dy synojnë që në një të ardhme të afërt të luajnë për ndonjë ekip të madh në Evropë.
Përmendin, Real Madridin e Barcelonën, në të cilat ëndërrojnë të luajnë.