Derbi më i madh në Kosovë ndërmjet Gjilani – Drita po ofron. Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të hap dyert për të mirëpritur dy rivalët e përbetuar nga qyteti i Gjilanit që për herë të tretë këtë edicion do vihen përballë njëra tjetrës
Duke qenë se numri i shikuesve pritet të jetë shumë i lartë, zyrtarët e Gjilanit janë duke bërë përgatitjet që siguria të jetë në nivelin më të lartë, teksa është paralajmëruar as asnjë mjet piroteknik mos të futet brenda stadiumit.
“Ne do të kujdesemi që të mos dëmtojmë stadiumin Fadil Vokrri. Niveli i sigurisë do të jetë si për ndeshjet e Kosovës. Si për Skifterat ashtu edhe për Intelektualët nuk do të lejohet asnjë mjet piroteknik”, deklaroi Sevdail Robelli, drejtor gjeneral te SC Gjilani.
Por, kështu kishin paralajmëruar edhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës para duelit final të Superkupës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, por mjetet piroteknike megjithatë u futën në stadium.
“Intelektualët” e Dritës kishin arritur të fusnin mjetet piroteknike brenda stadiumit dhe atë në mënyrë shumë interesante.
Mjetet piroteknike i kishin futur në sanduiçët e tyre, të cilët ishin të vetmet që nuk iu nënshtruan kontrollit të rreptë të sigurisë.
Dy grupet e tifozërive kanë paralajmëruar atmosferë të zjarrtë, por mbetet për tu parë nëse atmosfera do ndezet me mjete prioteknike apo pa to.
Dueli Gjilani – Drita zhvillohet të dielen në “Fadil Vokrri” dhe fillon nga ora 20:00./Gazeta Sheshi/