Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, sot ka pritur në takim, Kryeshefen Ekzekutive nga Inspektorati Policor i Kosovës, Miradije Kelmendi.
Takimi i zhvilluar kishte për qëllim zotimin për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në mes këtyre dy institucioneve, duke ofruar mbështetje të ndërsjellë, në mënyrë që të sigurohet efikasitet, duke kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta.
Përveç tjerash, u vlerësua edhe çështja e shkëmbimit të informacioneve sa i përket zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, të realizuara deri më tani dhe u theksua se edhe më tutje do të vazhdojë një koordinimi i tillë, me qëllim të luftimit të dukurive negative.
Duke pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm, në fund të takimit, Kryeprokurori Maloku dhe Kryeshefja Kelmendi, u shprehën të gatshëm edhe më tej për përkrahje reciproke, drejt avancimit të sundimit të ligjit.