Ka nisur punimet Kuvendi Zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Gjilan. Afër 300 delegatë do të zgjedhin sot organet drejtuese të partisë, duke përfshirë edhe kryetarin e Degës që do t’i prijë PDK-së së Gjilanit në mandatin e ri, transmeton 2LONLINE.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor në të gjitha nëndegët e PDK-së në Gjilan, Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së, ka mbledhur delegatët e zgjedhur në sallën e Teatrit të Qytetit, ku po mbahet pjesa hyrëse, ceremoniale, për të kaluar në pjesën tjetër të votimeve.
Janë dy kandidatura që pretendojnë të parin e degës, Qemajl Mustafa dhe Flurim Arifi, të cilët shkurtimisht edhe kanë paraqitur platformat e tyre para delegatëve dhe po ashtu kanë kërkuar mbështetje. Kuvendi Zgjedhor i PDK-së do t’i zgjedh edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Degës si dhe delegatët për Konventën Qendrore.
Përndryshe, në hyrje të këtij Kuvendi, ish kryetar i Degës Zenun Pajaziti tha se ky Kuvend Zgjedhor para se gjithash, pret të jetë akt solemn i PDK-së, dhe rast i madh për të bërë një kthesë për të rinisë për një fitore në Gjilan, për një rikthim të PDK-së në pushtet, fitore kjo që e presin edhe qytetarët e Gjilanit, transmeton 2LONLINE.
Pajaziti, që njëherësh është edhe deputet i Parlamentit të Kosovës, ka përgëzuar të dyja kandidaturat që kanë bërë garë të mirë deri në këtë kuvend, për të përgëzuar këdo që del fitues.
Ai tha se qytetarët e Gjilanit presin shumë, presin ndryshime dhe PDK-ja nga sot do të jetë një ofertë e re që do të mundësojë plotësimin e pritshmërisë së qytetarëve.
Ndërsa, edhe Uran Ismajli nga strukturat qendrore të partisë, ka përgëzuar PDK-në e Gjilanit duke thënë se kanë hyrë në një rrugë të re, në një drejtim të ri, që do ta risjellë fitoren në Gjilan.
Ai tha se një Kosovë e zhvilluar bëhet vetëm me një PDK-të të fuqishme dhe se shprehu besimin se PDK-ja e Gjilanit i ka të gjitha parametrat për të qenë dega më e fuqishme e PDK-së dhe se do ta ketë mbështetjen e qendrës për t’u rikthyer në qeverisje me Gjilanin.
Ismajli, që është edhe ministër, theksoi se qytetarët e Gjilanit e presin fitoren e PDK-së dhe duke i përgëzuar delegatët e këtij Kuvendi, u shpreh i bindur se nga këtu do të dalin strukturat më të mira që do ta drejtojnë PDK-në drejt fitores, transmeton 2LONLINE.
Përndryshe, nga organizatori u kërkua që për pjesën tjetër, në sallë të qëndrojnë vetëm delegatët, ndërsa mysafirë, përfaqësues të media-s dhe të tjerë, të largohen nga salla.