Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga nxënësit e shkollës “Thimi Mitko”, ku është bërë pasurimi i bibliotekës së shkollës me libra të sjellur nga nxënësit, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, për të krijuar kështu kulturën e leximit, ruajtjes dhe pasurimit në rrafshin e leximit dhe librit në përgjithësi.
Kryetari Lutfi Haziri, ka thënë në këtë takim se ky është një shembull i jashtëzakonshëm që është bërë me iniciativë nga fëmijët dhe mësimdhënësit për t’u bërë shembull që duhet të ndiqet edhe nga të gjithë fëmijët e tjerë të Gjilanit.
Ai ka bërë thirrje që të ketë një përkushtim më të madh dhe bashkërisht të ndikojmë në promovimin e vlerës së librit dhe leximit në përgjithësi, që nga mosha e hershme nga niveli fillor e tutje.
Drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen, ka theksuar se nxënësit, përpos sukseseve që kanë, po dëshmohen se ajnë të përkushtuar për kujdesin ndaj shkollës dhe librave në përgjithësi.
Ngjarje e sotme është përmbyllë me një program të pasur kulturor-artistik, të përgatitur nga nxënësit e shkollës “Thimi Mitko”.