Njëra nga institucionet më të rëndësishme të vendit, sigurisht është edhe policia e Kosovës.
Në raste të shpeshta të aksioneve të ndryshme, policët lëndohen, e kur kjo ndodh atyre nuk u ofrohen sigurime shëndetësore.
Tash e sa vite – vazhdimisht premtohen sigurime shëndetësore dhe kushte më të mira për punë për policët, por kjo nuk është duke ndodhur, shkruan lajmi.net.
Edhe këtë vit, festa e punës, i ka zënë pa sigurime shëndetësore policët e Kosovës, e në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me ministrin e punëve të brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, i cili nuk ka dashur të komentoj në lidhje me këtë temë.
“Festë është sot. S’kam kurrfarë komenti”, tha ministri Mustafa shkurt për lajmi.net.
E koment nuk pati as nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli i cili tha se nuk kanë marrë premtime për këtë gjë.
“Kërkesat tona në vazhdimësi janë për sigurime shëndetësore, nuk kemi premtim të drejtpërdrejtë ende, nuk kam përgjigje tjetër të jap në këtë rast”, tha Tasholli për lajmi.net.
Në anën tjetër, Sami Mazreku nga Shoqata e Sigurimeve tha për lajmi.net se kanë bërë gjithçka që është dashur për të bërë sigurimet shëndetësore.
“Unë e kam thënë edhe më herët që është e nevojshme, por tani nuk është më në pjesën tonë. Ajo që ka qenë në dorën tonë është bërë”, tha Mazreku për lajmi.net.
Mazreku ka treguar gjithashtu se i kanë dërguar të gjitha informacionet e nevojshme nga Ministria e Punëve të Brendshme e deri tek Qeveria, por tani është në dorën e qeverisë, me vendos a do të ndajë mjete ose jo.
Mazreku gjithashtu tha se Qeveria mund të ndajë fonde alternative për sigurime derisa të merret vendimi për të hyrë në fuqi ligji për sigurimet shëndetësore.
Ndër të tjera, ai tha se institucionet kanë informacionet e duhura duke filluar nga pakot shëndetësore e deri tek kategoritë në detaje.
“Ne i kemi dërguar të gjitha rekomandimet dhe informatat e nevojshme, nga Ministria e Punëve të Brendshme e deri tek Qeveria, por tani është në dorën e qeverisë, me vendos a do të ndaj mjete ose jo, unë e kam sqaruar që derisa të bëhet ligji i përgjithshëm publik shëndetësor, qeveria mund të ndajë fonde ndamas (alternative) për me i siguri këto kategori që ju i përmendët, nuk do të thotë të pritet ligji patjetër dhe deri në këtë kohë ne nuk kemi ndonjë informatë të saktë – mirëpo çdo informacion prej pakove shëndetësore, çmimet, modaliteteve, me mosha, me gjini me kategori, të gjitha kryeministri i ka në tavolinë, çka vendoset mbetet në dorë të qeverisë”, tha Mazreku për lajmi.net.
Ligji për Sigurimet Shëndetësore tash e sa vite zvarritet dhe ende nuk është votuar për të hyrë në fuqi, e kategoritë e rrezikuara në punë si Policia e Kosovës ende nuk gëzojnë këtë të drejtë.