Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, sot ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarve F.I. (1999), B.I. (1986), S.I. (1978), I.I. (1969), H.I. (1961), të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, si dhe ndaj të dyshuarit E.I. (1990), për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Lëndim i rëndë trupor’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit F.I., B.I., S.I, I.I. dhe H.I., më 2 maj 2019, rreth orës 9:30 – 9:50 minuta, në fshatin Sodovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, në bashkëveprim dhe me dashje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I., në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, e kanë goditur të njëjtin me mjete të forta – vegla pune dhe dru, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku si pasojë e lëndime, viktima fillimisht dërgohet në Spitalin Regjional në Gjilan, e më pas transferohet në QKUK, në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë.
Gjithashtu, të pandehurit e lartcekur, kanë rrezikuar seriozisht jetën e bashkëshortes së të ndjerit – të dëmtuarës K.I., dhe të pandehurit tjetër E.I., duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Ndërsa, i pandehuri E.I., me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, me një lopatë, iu ka shkaktuar lëndime trupore të pandehurve I.I. dhe F.I., të cilët për shkak të lëndimeve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan.