Nga Fabio Volo
Absolutisht, gjëja më e mrekullueshme, më shumë se perëndimet, më shumë së fluturimi i një zogu, është një femër në rilindje. Kur ringrihet në këmbë pas katastrofës, pas rënies. Kur dikush mund të thotë: mbaroi. Jo nuk ka mbaruar kurrë për një femër. Një femër ringrihet gjithmonë, edhe kur nuk e beson, edhe kur nuk e dëshiron. Nuk flas vetëm për dhimbjet e pafund, për ato plagë të shkaktuara si nga mina anti-njeri që të shkakton vdekja apo sëmundja.
Flas për ty që kjo periudhë nuk mbaron kurrë, që po luan me ekzistencën në një punë të vështirë, që çdo mëngjes është një provim më keq se në shkollë. Ti gjykatëse e papërkulshme e vetvetes, që nga mënyra sesi shefi do të të vështrojë do të vendosësh nëse je në lartësinë e duhur apo se duhet të dënohesh. Dhe kështu ky provim nuk mbaron kurrë… Kudo që të kesh qenë ke qenë ngushtë: në lidhjen tënde, në punën tënde, në vetminë tënde. Dhe ishte krizë dhe ke qarë. Zot sa qani!
Në stomak keni një burim uji. Ke qarë ndërsa ecje në një rrugë të populluar, në stacionin e metrosë, në motor. Aq papritur. Nuk mund ta mbaje. Dhe atë natë që more makinën dhe i dhe për orë të tëra, me qëllim që ajri i errësirës të të thante faqet? Dhe pastaj ke gërmuar e ke folur, sa flisni vajza! Jeni fjalë e lot. Për të kuptuar, për të nxjerrë jashtë një rrënjë 6 metra të gjatë që t’i japë një kuptim dhimbjes tuaj: “Përse veproj kështu? Pse përsëris të njëjtën skemë? Mos ndoshta jam e çmendur?”. I kanë bërë të gjitha këto pyetje. Atëherë i futesh me themel historisë tënde, me dy, a katër duar dhe dalin në dritë mijëra copa. Një mister i ndërlikuar. Ja këtu fillon gjithçka. Nuk e dije?
Nga ajo kurajo e madhe që duhet për të parë veten kështu, të përbërë nga mijëra pjesë, që do të rifillosh. Sepse një femër rifillon gjithsesi, ka brenda një instinkt që e tërheq përpara. Do të të duhet një strategji, duhet të shpikësh një mënyrë për një Ti të re. Sepse të ka qëlluar të rinjihesh përsëri, për t’iu prezantuar vetvetes. Nuk mund të jesh ajo e mëparshmja. Përpara gërmimit. Nuk të entuziazmon? Do të të tërheqë dalëngadalë.
Të dashurohesh përsëri me vetveten, ose për herë të parë është si një karburant. Niset ngadalë duhet të këmbëngulësh. Por kur ndizet ikën me revan. Të rindërtosh vetveten është një aventurë. Më e madhja. Nuk ka rëndësi nëse e nis nga shtëpia, nga ngjyra e perdeve apo nga prerja e flokëve. Ju kam adhuruar gjithmonë, femra në rilindje, për atë mënyrën e mrekullueshme me të cilën i ulërisni botës “Jam e re” me një fund me lule apo me një kaçurrel të freskët bjond…Më shumë se mëngjeset, më shumë se dielli, një grua në rilindje është mrekullia më e madhe. Për atë që e takon dhe për vetveten. Është pranvera në nëntor, atëherë kur nuk e pret. /KultPlus.com