Është prezantuar raporti “Indeksi i konkurrueshmërisë së komunave” ku janë prezantuar gjetjet e anketës me 3350 biznese nga 38 komunat e Kosovës, gjetje këto përmes së cilave është arritur deri tek vlerësimi i qeverisjes lokale në bazë të ambientit përkrahës për zhvillim të bizneseve.
Dhjetë komuna të Kosovës, në mesin e të cilave nuk është edhe ajo e Prishtinës, janë renditur si më të mirat në nivel për nga krijimi i një mjedisi të shëndoshë afarist për të bërit biznes.
Kështu, në krye të listës për performancën më të mirë në aspektin e ndihmës që kanë ofruar në reduktimin e pengesave për zhvillimin e sektorit privat, prijnë Komuna e Lipjanit, ajo e Rahovecit dhe Vitisë, pas të cilave vjen Komuna e Junikut, e Gjakovës, Hanit të Elezit, Parteshit, Suharekës, Obiliqit dhe Podujevës. Prishtina renditet e trembëdhjeta në mesin e 38 komunave, për nga eliminimi i procedurave të tepërta administrative për bizneset, ndërsa që krahasuar me vitin 2018, ajo madje ka shënuar edhe regres, duke rënë për pesë pozita më poshtë sivjet, shkruan sot Koha Ditore.
Këto të dhëna janë bërë publike të martën përmes një raporti, që ka hartuar Instituti “Riinvest”, me mbështetjen e USAID-it për krijimin e Indeksit të Konkurrueshmërisë së Komunave (IKKI). Ky indeks është krijuar për të matur performancën e qeverisë lokale drejt krijimit të një mjedisi të shëndoshë afarist.
Në raportin e publikuar me titull ”Konkurrueshmëria e Komunave”… thuhet se IKK-ja vlerëson performancën e qeverive komunale të 38 komunave të Kosovës dhe shkallën në të cilën ato arrijnë të krijojnë një mjedis afarist të favorshëm./PLUSTV/