Institucionet e vendit vazhdojnë të shpenzojnë shuma të mëdha parash për blerje të veturave luksoze, derisa thuajse të gjitha spitalet, por edhe shtëpitë e shëndetit përballen me mungesë të autoambulancave. Sipas të dhënave zyrtare, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka në funksion 8 autoambulanca për bartjen e pacientëve, Prizreni 7, Gjakova 9, Gjilani 5, Mitrovica 5, Peja 6, si dhe Ferizaj 1 autoambulancë.
Derisa institucionet publike shëndetësore në Kosovë po ballafaqohen me mungesë të autoambulancave për transportimin e pacientëve, në vend aktualisht janë rreth 1 mijë vetura zyrtare. Për më shumë, gjatë këtij viti institucionet në Kosovë e kanë paraparë t’i shpenzojnë edhe 6 milionë euro për blerjen e automjeteve të reja, derisa edhe viteve të kaluara miliona euro janë dhënë për marrje me qira të veturave të reja nga institucionet vendore. Përveç shpenzimeve për blerjen e veturave të reja, buxheti i shtetit po shpenzohet edhe nga pagesat që po bëhen për karburant për këto vetura, shkruan Gazeta “Zëri”.
Vetëm në vitin e kaluar vlerësohet se janë shpenzuar mbi 8 milionë euro për karburant për vetura për zyrtarët e shtetit. Derisa miliona euro po shkojnë vit pas viti për vetura zyrtare, në spitalet rajonale e në qendrat e mjekësisë familjare në vend po mungojnë autoambulancat.