Ndonëse duhen edhe 3 nënshkrime për ta ngritur mocionin e votëbesimit dhe për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, deputetët e koalicionit qeverisës nuk po ndihen të rrezikuar nga kjo nismë, sipas tyre opozita nuk do të arrijë t’i mbledhë votat. Për ta çuar deri në fund këtë iniciativë partitë opozitare theksojnë se nuk do t’i kërkojnë votat e Listës Serbe, por as nuk do t’i kundërshtojnë ato kur mocioni të ngrihet në Kuvend, shkruan gazeta “Zëri”.
Analisti politik Rasim Alija e ka parë me skepticizëm nismën e opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Në një përgjigje për “Zërin” Alija është shprehur se ekzistojnë dy opsione që do të mundë ta bëjnë mocionin e suksesshëm.
“Vullneti i opozitës i kërkon edhe numrat në Kuvend e këta numra është problem të sigurohen nga opozita në këtë moment. Mundësitë e opozitës janë që të sigurojë numrat nga Nisma dhe si rezultat të sigurohen 61 vota për rrëzimin e Qeverisë. Opsioni i dytë mbetet rrëzimi i Qeverisë nga vetë PDK-ja. E kjo ka gjasa të ndodhë pas Samitit të Parisit e para daljes së Kuvendit në pushimin veror”, ka deklaruar ai.
Alija theksoi se të dyja këto opsione do të kërkojnë marrëveshje paraprake ndërmjet partive politike, që sipas tij do të reflektohen edhe në qeverisjen e ardhshme. Në rast të zgjedhjeve të parakohshme Alija potencoi se ekzistojnë disa alternativa se kush mund të jenë koalicionet e ardhshme që do të udhëheqin me vendin.
“Një koalicion i mundshëm është ai ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, por nuk përjashtohet mundësia që në rast të zgjedhjes së Lutfi Hazirit si kryetar i LDK-së të ketë edhe një koalicion PDK-LDK. Ndërsa Nisma, PSD-ja e AAK-ja në të gjitha variantet do të mbeten subjekte që do të jenë përcaktuese se cila nga tri subjektet e mëdha do t’i prijë koalicionit të ardhshëm e rrjedhimisht edhe Qeverisë”, ka thënë Alija./ZËRI