Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka vendosur t’i shkarkojë të gjithë të emëruarit publik në institucionet e Kosovës, që vijnë nga radhët e PDK-së e të cilët kanë aktakuza nga Prokuroria e Shtetit.
Në një konferencë me gazetarë, lideri i PDK-së bëri të ditur se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.
“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore – si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli.
Ky është një vendim dhe premtim i mbajtur i liderit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilin e ka paralajmëruar dy ditë më parë në Konventën festive të Partisë Demokratike të Kosovës, ku i siguroi të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që asnjë person me aktakuza për korrupsion të mbajnë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj.