Ushqimi është nevojë bazike e njeriut që të mbijetojë. Kur vjen puna te shpenzimet e familjeve shqiptare, ato për ushqime kanë peshën më të madhe në totalin e shpenzimeve dhe, pasi plotësojnë nevojën kryesore, me ato çka ju mbetet përmbushin nevojat e tjera.
Pesha e shpenzimeve për ushqime e familjeve shqiptare është 44.1% e totalit të parave që ata kanë në dispozicion për të shpenzuar, më e larta në Europë.
Ndryshe ndodh me shpenzimet e familjeve në vendet e Bashkimit Europian, ku shpenzimet për ushqime zënë vetëm 12.2% të totalit.
Krahasuar me shpenzimet mesatare të një familje që jeton në Bashkimin Europian, në Shqipëri shpenzimet për ushqime peshojnë në totalin e shpenzimeve 3.6 herë më shumë.
Edhe arsimi u rëndon më shumë familjeve shqiptare në raport me një familje mesatare të BE-së.
Sipas të dhënave të Eurostat, shpenzimet për arsim të një familje në BE janë sa 1.1% e totalit të shpenzimeve. Ndërsa një familje në Shqipëri, ato u peshojnë sa 3.9% e totalit, thuajse 2 pikë përqindje më shumë se familjet në BE. Edhe për komunikim, familjeve shqiptare iu rëndon më shumë se atyre europiane.
Sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për komunikim ishte sa 3.4% e totalit, ndërsa në BE shpenzimet për komunikim zënë 2.5% të shpenzimeve totale të familjeve, mbështetur në të dhënat e Eurostat.
Ushqimet zënë peshën kryesore të shpenzimeve të familjeve në Ballkan, Shqipëria mban rekord
Në Ballkanin Perëndimor, pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shkojnë për të siguruar ushqimin. Megjithatë, duke bërë një krahasim midis tyre, shpenzimet për ushqime janë shumë më të larta në Shqipëri.
Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut është vendi ku shpenzimet për ushqime janë më të larta, me rreth 36.8% të totalit të shpenzimeve që ato kryejnë, ndjekur nga Kosova me 34.1%.
Ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Malin e Zi, shpenzimet për ushqime zënë gati çerekun e totalit të shpenzimeve, me një peshë përkatësisht 24.5% dhe 24.3%. Ndër vendet e rajonit, Serbia ka peshën më të ulët për këtë grup, me rreth 17.3% të totalit. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta për sa i përket grupit të shpenzimeve për banesë, energji, ujë dhe qira. Ndërsa më të lartin e kanë Serbia dhe Kosova, me 14.5%.
Për restorantet dhe hotelet, kryeson Mali i Zi
Mali i Zi ishte një nga vendet që tërhoqi numrin më të madh të turistëve në rajon, e për rrjedhojë, çmimet e restoranteve dhe hoteleve janë më të larta se në vendet e tjera.
Çmimet e larta janë reflektuar edhe në shpenzimet për këtë grup në vend, me një peshë sa 15.2% e rajonit, përcjell BW.
Pas Malit të Zi renditet Bosnjë dhe Hercegovina, ku në totalin e shpenzimeve ato për restorant dhe hotele zinin 6.2%.
Shqipëria është e treta në rajon, ku rreth 5% e shpenzimeve familjare shkojnë për këtë kategori, duke u ndjekur nga Maqedonia me 3.7%, Kosova me 2.4% dhe Serbia me 2%
Shqipëria me shpenzimet më të larta për shëndetin në rajon
Për sa u përket shpenzimeve për shëndet, Shqipëria mban rekordin në rajon me 3.9% të totalit të shpenzimeve, thuajse sa mesatarja e BE-së prej 4%. Në rajon, shpenzimet për shëndetin variojnë nga 1.3% në Kosovë, në 3.1% në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Arsimi
Shumë vende të Bashkimit Europian po ndjekin politika lehtësuese për të mundësuar arsim cilësor për të gjitha shtresat. Shumë Universitete në BE nuk aplikojnë tarifa studimi për shtetasit e BE-së, ndërsa arsimi financohet kryesisht nga taksat dhe jo tarifat. Kjo është reflektuar edhe në peshën që zënë shpenzimet për arsim në totalin e shpenzimeve të familjeve europiane me 1.1% të totalit. Kurse në rajon, shpenzimet janë edhe më të ulëta nga 0.2% në Maqedoni, me 0.9% në Serbi dhe Kosovë dhe 1.1% në Malin e Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë.
Shqiptarët e Kosovës, më qejflinjtë e rajonit
Vendet e rajonit, krahasuar me Bashkimin Europian, kanë shpenzimet për argëtim thuajse dy herë më të ulëta.
Në Bashkimin Europian, pesha e shpenzimeve për argëtim dhe kulturë ishte 8.5% e totalit. Ndërsa shqiptarët e Kosovës mund të cilësohen si më qejflinjtë e rajonit. Shpenzimet për argëtim dhe kulturë janë sa 4.1% të totalit, duke u ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me 3.9%, Serbia me 3.8%, Mali i Zi me 3.6%. Më të ulëtat janë regjistruar në Shqipëri, ku sipas të dhënave të INSTAT, ky grup zinte 3% të totalit, ndërsa në Maqedoni, rreth 1.9%.
Ballkanasit, “pijanecët” e Europës
Ballkani Perëndimor është i njohur edhe për dashurinë që ka për pijet alkoolike, me traditë në prodhimin artizanal. Dashuria e tyre për alkoolin shikohet edhe në peshën që zënë shpenzimet për pije alkoolike në totalin e shpenzimeve të familjeve të rajonit, ku përveçse në Shqipëri, në të gjitha vendet e tjera e tejkalon mesataren europiane. Sipas të dhënave të Eurostat, një familje në BE shpenzon mesatarisht 3.8% të totalit për pije alkoolike dhe duhan.
Një peshë dy herë më e ulët se sa në Bosnjë dhe Hercegovinë, vendi që thyen rekordin për sa u përket shpenzimeve për pije dhe duhan, me një peshë prej 7.6%. Pas Bosnjë dhe Hercegovinës, me shpenzime të larta renditen Serbia dhe Mali i Zi me përkatësisht 5.6% dhe 5.5%. Edhe në Kosovë, shpenzimet për pije dhe duhan përllogariten të jenë 5.2%, ndërsa në Maqedoni 4.1%. Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta me 3.5%, me një peshë edhe më të vogël se mesatarja e Bashkimit Europian.
Pas modës shkojnë më tepër maqedonasit
Familjet maqedonase kanë shënuar shpenzimet më të larta për veshje dhe këpucë, ku pesha për këtë grup përllogaritet 5.3% e totalit të shpenzimeve, sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave në Maqedoni.
Shpenzimet për veshje dhe këpucë tejkalojnë edhe mesataren e vendeve të BE-së për këtë kategori.
Sipas Eurostat, pesha që zinin veshjet dhe këpucët në vendet e BE-së ishte 4.9% e totalit. Më pas, në rajon për peshën më të lartë të kësaj kategorie renditet Mali i Zi me 4.7%, Shqipëria me 4.3%, Bosnjë dhe Hercegovina me 3.7%, Kosova me 3.2%. Familjet serbe kanë shënuar shpenzimet më të ulëta për veshje dhe këpucë, ku sipas Eurostat, ato përllogariten sa 2.8% e totalit të shpenzimeve.
Malazezët dhe shqiptarët e Kosovës, të fiksuar pas shtëpive
Rreth 8.4% e totalit të shpenzimeve të familjeve malazeze dhe 7.9% e shpenzimeve të familjeve kosovare shkojnë për mobilimin, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtje të ndryshme të banesave. Këto dy vende kanë shënuar rekord jo vetëm ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në BE, ku shpenzimet për këtë grup ishin sa 5.5% e totalit.
“Meraklinj” për shtëpinë janë edhe maqedonasit, ku sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave, rreth 5.5% e shpenzimeve shkuan për mirëmbajtjen e shtëpisë. Ndjekur nga Shqipëria dhe Bosnjë – Hercegovina me 4.8%. Ndërsa në familjet serbe, shpenzimet për mobilim, pajisje elektroshtëpiake dhe mirëmbajtje të banesës zënë vetëm 2.7% të totalit.
Nga shpenzimet për banesë tek argëtimi, ku shpenzojnë më shumë europianët
Shpenzimet për grupin banesë, ujë, energji elektrike dhe qira, janë më të lartat në totalin e shpenzimeve që bën një familje mesatare në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në total, shpenzimet për këtë grup zinin 24.2%, thuajse sa dyfishi i peshës që atyre iu duhet të paguajnë për ushqime.
Për familjet shqiptare, ky është grupi i dytë me peshën më të lartë, pas atij të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me një peshë në totalin e shpenzimeve prej 10.9%, rreth 13.3 pikë për qind më pak.
Grupi i shpenzimeve për transport renditet i dyti për nga pesha në totalin e shpenzimeve që bëjnë familjet në BE, me 13% të totalit. Pesha e shpenzimeve për transport është gati dyfish më e lartë se e shpenzimeve për transport në Shqipëri. E ndërsa familjet në Shqipëri i kanë të përqendruara shpenzimet e tyre te gjërat bazike, familjet e Bashkimit Europian shpenzojnë më shumë për restorante dhe hotele apo për argëtim dhe kulturë. Shpenzimet për hotele dhe restorante ishin sa 8.8% e totalit të shpenzimeve, krahasuar me 5% në Shqipëri. Kurse pesha e shpenzimeve për argëtim dhe kulturë janë gati 3 herë më të lartë në BE në krahasim me Shqipërinë.
Eurostat shpjegon çfarë ndikon në shpenzimet e familjeve
Sipas analizës që ka bërë Eurostat, përcjell bw, shpenzimet e familjeve varen shumë nga niveli i të ardhurave, zakonet apo vendndodhjet gjeografike. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve në BE, thuajse një e katërta, shkuan si shpenzim për banesë, ujë, energji apo qira. Ndër vendet e Bashkimit Europian, pjesa më e madhe e shpenzimeve shkuan për këtë grup, përveçse në Estoni, Rumani dhe Lituani, ku shpenzimet për ushqim ishin “më të rëndësishme”. Në Qipro apo në Maltë, shpenzimet me peshë më të lartë ishin për grupin “restorante dhe hotele”.
Metodologjia e përdorur
Eurostat dhe INSTAT kanë ndarë grupet kryesore të konsumit në Klasifikimin e Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP), 2012. Anketa e Buxhetit të Familjes 2017 u krye nga INSTAT gjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.312 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.519 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Shkalla e përgjigjes së NjEF, e llogaritur si raport i numrit të NjEF që kanë plotësuar anketën ndaj numrit të NjEF të zgjedhura, shprehur në përqindje rezultoi 80,7%.