Seanca e të enjtes e Kuvendit Komunal të Gjilanit doli të jetë e fundit për Anila Tusha- Kastrati, nën siglën e subjektit Nisma Socialdemokrate, pasi ajo sot ka bërë me dije se ka vendosur që të tërhiqet në mënyrë të parevokueshme nga të gjitha funksionet e saj në këtë subjekt politik.
Ajo, këtë e ka bërë me dije përmes një postimi në profilin e saj në facebook.
“Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, por jam detyruar të dorëhiqem nga lufta e brendshme që na kanë shkaktuar ndërhyrjet në degën tonë, nepotizmi, korrupsioni në këtë parti”, ka shkruar ajo.
Ja postimi i plotë:
Të nderuar aktivistë të Nisma për Kosovën,
Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtarë,
Të nderuar miq e bashkëpunëtorë
Që nga dita e sotme kam vendosur që të tërhiqem në mënyrë të parevokueshme nga të gjitha funksionet e mia në NISMA për Kosovën, pra nga Këshilli Kombëtarë, nga pozita e nënkryetares së degës në Gjilan. Aktivitetin tim si asambliste në Kuvendin Komunal në Gjilan nga sot do ta vazhdojë si e pavarur.
Më lejoni të ju them se ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, por jam detyruar të dorëhiqem nga lufta e brendshme që na kanë shkaktuar ndërhyrjet në degën tonë, nepotizmi, korrupsioni në këtë parti.
Nuk mund të largohem pa e falënderuar për mbështetjen e madhe gjatë gjithë kohës sa kam qenë në këtë subjekt kryetarin e degës, z Bajram Hasani. Bashkë më të kemi bërë shumë punë që NISMA në Gjilan të rritet. Kam besuar në vizionin e tij prej lideri dhe kemi bërë shumë punë të mira.
Por drejtues të partisë, deputetë, këshilltarë e të gjithë ata që kanë zënë pozita publike e shtetërore kanë harruar se NISMA është këtu falë punës tonë në terren, falë punës të aktivistëve të cilët tashmë janë harruar.
Me respekt, Anila Tusha- Kastrati