Pavarësisht se u shpenzua shumë financiarisht në hotelet e Prishtinës e të Durrësit, u bë bujë e madhe se do të përmirësoheshin tekstet shkollore me aq shumë gabime, sërish ka pasur vërejtje nga ekspertë të arsimit, duke i bërë thirrje Ministrit të MASHT-it, që të mos botoheshin këto tekste të reja, sepse nuk kishte ndryshime të pritura. Po ashtu, shqetësuese mbetet largimi i anëtarëve nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore. Për më keq, është larguar nga bashkëpunimi edhe GIZ-i gjerman, një organizatë gjermane me autoritet të lartë profesional ndërkombëtar. Pse u larguan ekspertët e arsimit për tekstet shkollore? Pse nuk po merret parasysh mendimi i ekspertëve për cilësinë e dobët të teksteve shkollore dhe thirrjen për të mos i botuar ato?
Pse po prishet bashkëpunimi me organizatat e rëndësishme si GIZ-i? MASHT duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet në cilësinë e dobët të teksteve shkollore. Përkundër shpenzimeve enorme vetëm për hotele e trajnime, i ikën ekspertët dhe organizatat e huaja mbështetëse. Askush nuk të vjen mbrapa, nëse i shpërfillni mendimet e tyre!