Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve F. Th. dhe L. M.
Të akuzuarit janë fajtor, sepse me datë 24 janar 2019, rreth orës 16:00 minuta, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Ponesh, gjatë një kontrolli të zyrtarëve policor, është gjetur substancë narkotike e llojit “marihuanë”. I pandehuri F. Th. ka marr substancën narkotike nga një person i panjohur në Prizren në peshë prej 52.37 kilogram, për të transportuar tek i pandehuri L. M. nga Gjilani, i cili ka qenë duke e pritur në parkingun e ETC-së në Gjilan.
Me këto veprime i pandehuri F. Th. ka kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa i akuzuari L. M. ka kryer veprën penale të mbetur në tentativë “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit F. Th., duke i shqiptuar dënim prej 3 (tre) vite burgim dhe gjobë në shumën prej 5.000 Euro, ndërsa për të akuzuarin L. M. dënim prej 2 (dy) vite e 6 (muaj) burgim dhe 5.000 Euro gjobë.
Gjykata ka nxjerrë aktvendim, ku të pandehurve në fjalë do t’iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.