Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur familjen e Daut Elezit, i cili ka shërbyer si kryetar i Gjilanit për tri vjet e gjysëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, zonjën Teuta Ramaj – Dervishi, të cilës i ka dhënë mirënjohjen post mortum për gjyshin e saj, në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin që ai ka dhënë sa ishte në Gjilan.
“Daut Elezi ishte njëri nga intelektualët e kohës, i cili ishte emëruar prefekt apo kryetar Komune në atë kohë, për të udhëhequr Gjilanin. Janë familja e tij sot në një vizitë nderi për Gjilanin, është mbesa e tij Teuta të cilës i kam dhënë mirënjohjen post mortum për gjyshin e saj. Daut Elezi, kishte fatin e gjilanasve, ashtu sikur që u pushkatuan dhe masakruan qytetarë të shumtë të Gjilanit, poashtu edhe ai, përkundër që u kthye në Shqipëri, në Elbasan ka pasur fatin e njejtë, është pushkatuar për shkak detyrës dhe bindjeve të tij politike gjatë kohës sa ka vepruar”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka thënë se emri i tij gjithmonë ka qenë i ndritur dhe Gjilani e ka ruajtur dhe aq më shumë që mbesa dhe pinjollët e tij janë këtu dhe do të jenë të lidhur me historinë dhe zhvillimin e qytetit në vazhdimësi.
Ndërsa në fjalën e saj, Teuta Ramaj-Dervishi, ka falënderuar kryetarin dhe Komunën e Gjilanit për kujtimin e gjyshit të saj dhe tregimeve të mira që kishin trashëguar për qytetarët e Gjilanin.
“Nga kujtimet që gjyshja ka transmetuar tek ne fëmijët, sidomos për nivelin e lartë të mikëpritjes, bujarisë, respektit dhe dhuratave për familjen e Daut Elezit ne kemi gjithmonë respekt të veçantë për Gjilanin. Në atë kohë qytetarët e Gjilanit janë ata të cilët e mbështesin gjyshin tim dhe i shpëtojnë jetën duke e ndihmuar atë të largohet nga këtej, për shkak të situatës së krijuar. Është nder i madh që më pritët edhe njëherë dhe po kujtohet me kaq dashuri puna e gjyshit tim që ka bërë në Gjilan”, ka thënë ajo, duke shprehur falënderimin për kryetarin Haziri dhe qytetarët e Gjilanit.