Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me kompaninë “Buqaj”, të përfaqësuar nga Elena Krasniqi, e cila do të mbështesë dy familje për ndërtimin e shtëpive me çelësa në dorë.
Kryetari Haziri ka falënderuar kompaninë “Buqaj” që iu bashkua aksionit të madh për t’i nxjerrë nga gjendja e rëndë dy familje në nevojë.
“E falënderoj pronarin e kompanisë “Buqaj” dhe zonjën Krasniqi për pjesëmarrjen në programin e madh të banimit social në Gjilan. Apeloj edhe tek donatorët tjerë, komuniteti i biznesit e bashkatdhetarët që të vazhdojnë të jenë solidar, duke dhënë nga pasuria e tyre për këto familje. Urime familjes Aziri dhe Hajrullahu, të cilët brenda njën viti do të bëhen me shtëpi të reja”, ka thënë Haziri.
Ai ka njoftuar se numri i shtëpive të ndërtuara dhe që janë në proces të ndërtimit në kuadër të programit të Komunës së Gjilanit për banim social e kalon shifrën 100, 50 shtëpi janë renovuar, derisa 40 familjeve po u paguhet qiraja.
Ndryshe, mjetet financiare për ndërtimin e shtëpive do të mblidhen nga produkti I brendit Argeta.