Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me drejtorët e drejtorive komunale, ka vizituar sot fshatin Pogragjë, ku është realizuar projekti i terrenit sportiv, i cili ka qenë kërkesë e këshillit të fshatit dhe njëkohësisht ka falënderuar shoqatën “Pogragja” dhe gjithë banorët për angazhimin e vazhdueshëm në mirëmbajtje të hapësirës, investimeve dhe krijimit të gjelbrimit.
Pogragja është e organizuar me një komunitet të kulturuar dhe me energji të madhe nën mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë aktive nga bashkatdhetarët tanë në diasporë, që të ruajnë, mirëmbajnë dhe ndërtojnë fshatin e tyre model.
“Terreni sportiv, parku, hapësirat publike, lumi i fshatit e deri të varrezat, janë një dëshmi e punës dhe e kulturës që ka ky fshat. Konfirmoj se Komuna do të vazhdoj me investimet në ndërtimin e trotuareve, skajorëve të rrugës, ndriçimit dhe asfaltimin e rrugicave të mbetura në fshat. Me energjinë që ekziston këtu, Pogragja pas gjithë këtyre do të jetë modeli i fuqishëm i fshatit modern”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Ai ka shprehur falënderimin e tij dhe ka inkurajuar që të vazhdohet tutje me këtë energji sepse puna dhe bashkimi i komunitetit ka bërë që të kemi suksese të dukshme dhe tërheqëse.
Njëkohësisht, ai ka konfirmuar se në rrafshin e investimeve do të ketë barazi në raport me fshatin dhe qytetin dhe trajtimin e njejtë edhe me projekte por edhe me mjete buxhetore.
Ndërsa në fjalën e tyre Arton Fetahu, kryetar i këshillit të fshatit dhe Agron Aliu, nga shoqata “Pogragja”, e cila është themeluar dhe financohet nga banorët e fshatit në mërgatë, kanë falënderuar kryetarin e Komunës për mbështetjen dhe njëkohësisht kanë konfirmuar angazhimin maksimal, që Pogragja të jetë një fshat i kompletuar me infrastrukturën publike dhe njëkohësisht me ambient të gjelbruar dhe mirëmbajtur në vazhdimësi.