Në përgjithësi vendi ynë po kalon një kohë me temperatura shumë të larta dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, apelon për kursimin e ujit, kujdesin maksimal ndaj inicimit të zjarreve, por edhe shmangien e lëvizjes gjatë temperaturave shumë të larta për personat e moshuar fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
“Gjilani që nga 13 qershori është duke kaluar nëpër një thatësi shumë të madhe. Deri sot me mbështetjen dhe bashkëpunim të plotë me qytetarët e Gjilanit kemi arritur që të menaxhojmë me lojalitet të plotë situatën e thatësisë. Mirëpo thatësia e madhe që po kalojmë tani kërkon një kujdes edhe më të madh për njerëzit dhe pronat njëkohësisht”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai poashtu ka thënë se për të gjithë punëtorët në sektorin publik, që kanë problem me sëmundje kronike do të jenë të lirë ose do të punojnë me një orar të kufizuar, në mënyrë që ta përballojmë këtë kohë me temperature të lartë, në mënyrë që të mos kemi pasoja në njerëz.
“Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, mirëpo duhet të jemi solidar së pari ndaj njerëzve dhe do të sjellim vendime me kohë, që të ruhet shëndeti. Apelojmë edhe qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos dalin në temperature të larta. Sot Gjilani ka një mot me temperaturë 40 gradë celsius dhe ditët në vazhdim do të jenë me temperature tropikale. Gjithashtu nga burimet private apeloj që të mbrohet edhe prona publike, të ketë kujdes maksimal dhe të mos bëhen inicime të zjarreve, të ketë kujdes maksimal në komunikacion deri në kapërcimin e thatësisë”, ka thënë mes tjerash, në apelin e tij, kryetari Haziri.