Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve M. R. dhe Q. A..
Ekziston dyshimi bazuar me datë 19 gusht 2019, të pandehurit, pa autorizim kanë poseduar substancë narkotike të llojit “kokainë” në sasi prej 56.4 gramë, i pandehuri M. R. ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është arritur të kapet nga zyrtarët policorë prapa ndërtesave “Albanica”, me ç’rast edhe gjatë arrestimit ka penguar zyrtarët policorë.
Me këtë veprime të pandehurit, dyshohet të kenë kryer veprën penale ‘’blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”,, ndërsa i pandehuri M. R. ka kryer edhe veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që parashihet një dënim mjaft i lartë për këto vepra dhe gjithashtu të pandehurit janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe ekziston rreziku i ikjes, që do të pengonte zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.