Para tre vjetësh Kosova mori udhëzime nga Komisioni Evropian se duhet t’i plotësojë dy kushte për ta fituar liberalizimin e vizave.
KE në vitin 2016 kërkoi nga Kosova që të nënshkruajë marrëveshjen për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, derisa si kusht i dytë ishte përparimi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tani kur kanë kaluar tri vjet dhe Kosova e ratifikoi marrëveshjen me Malin e Zi ende nuk ka liberalizim të vizave.
Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Politikave Evropiane (EPIK), thotë se arsyeja kryesore pse Shtetet Anëtare nuk i kanë dhënë Kosovës dritën e gjelbër për liberalizim të vizave është fakti se Kosova në këto tri vjet nuk e ka pasur asnjë rast në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kosova e përmbushi kushtin e parë, d.m.th, e miratoi marrëveshjen për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, por kur është fjala për luftën kundër korrupsionit asnjë rast i nivelit të lartë nuk përfundoi me sukses”, ka thënë Shasha për radion Evropa e Lirë në versionin e gjuhës serbe.
Megjithatë, ai ka thënë se përkundër këtij fakti në qershor të vitit të kaluar Komisioni Evropian ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.
“Më pas Parlamenti Evropian në shtator të vitit 2018 po ashtu theksoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se duhet të vazhdojë edhe më tutje me procesin legjislativ në institucionet evropiane, përkatësisht miratimin e një rregulloreje e cila do t’i lejonte qytetarët e Kosovës, të cilët kanë pasaportë kosovare që të lëvizin të lirë në zonën Schengen”, ka shtuar Shasha.
Mirëpo, në shtator ndodhi bllokimi i këtij procesi, siç ka thënë Shasha, në kuadër të institucioneve evropiane, kur Këshilli i Evropës nuk u pajtua me vlerësimin e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
„Pra 27 ministra të punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së nuk e kanë të njëjtin mendim sikur KE apo PE, dhe atë sa i përket luftës kundër korrupsionit n nivele të larta. Ata nuk janë pajtuar që Kosova ka bërë progres në këtë fushë. Kjo është përgjigja e parë në pyetjen se pse Kosova nuk e ka fituar liberalizimin e vizave”, ka shtuar Shasha.
Çështja e liberalizimit të vizave sipas drejtorit të EPIK nuk do të zgjidhet gjatë këtij viti. Si arsye për këtë ai përmend konstituimin e institucioneve evropiane pas zgjedhjeve si dhe formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në fund të shtatorit ose fillim të tetorit.
“Ajo çfarë dimë është se Bashkimi Evropan tani ndodhet në proces të krijimit të institucioneve të veta dhe pritet që ky proces të përfundojë deri në nëntor të këtij viti dhe që nga 1 nëntori do të kemi Komisionin Evropian me përbërje të re. Në anën tjetër në Kosovë më 22 gusht u shpërnda Kuvendi dhe pritet që pas disa ditësh të shpallet data e zgjedhjeve të reja. Kjo do të thotë se Kosova nuk do të ketë qeveri të re deri në fund të 2019-s”, ka nënvizuar Shasha.
Ai thekson se viti 2020 mund të jetë periudha kur do të ketë liberalizim të vizave. “Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë një qasje më progresive në normalizimin e raporteve me Serbinë, që do të lejonte një vendim pozitiv nga BE-ja për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës”, ka thënë Shasha./Rtklive/