Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës ka paralajmëruar grevë në fillim të vitit të ri shkollor 2019 – 2020. Greva pritet fillimisht të mbahet në komunën e Kamenicës e pastaj të shpërndahet edhe në komunat tjera.
Viti i ri shkollor 2019 – 2020, që pritet të fillojë më 2 shtator, pritet të përcillet me greva nëpër institucionet publike arsimore në vend. Reformat në arsim që i ka paralajmëruar kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, do ta pengojnë fillimin e ri të këtij viti shkollor, pasi SBASHK-u e ka kundërshtuar një reformë të tillë, duke paralajmëruar greva në të gjitha komunat e Kosovës.
Rrahman Jashari, kryetar i kësaj Sindikate, ka thënë për “Zërin” se nga 3 shtatori do të fillojë greva e mësimdhënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme në komunën e Kamenicës. Ai ka bërë të ditur se nëse kryetari Kastrati nuk do të tërhiqet nga vendimi i tij, me grevën do të solidarizohen edhe mësimdhënësit e komunave të tjera në vend.
Nëse z. Kastrati nuk tërhiqet nga ideja e tij, në Kamenicë do të ketë greva. Në ditën e parë mësimdhënësit janë marrë vesh të shkojnë në shkollat e tyre e nëse do të pengohen, të nesërmen, më 3 shtator, arsimi i mesëm dhe ai fillor në Kamenicë do të jetë në grevë dyorëshe. Z. Kastrati do të ketë kohë një javë të tërheqë vendimin, në të kundërtën i tërë sistemi arsimor në Kamenicë do të jetë në grevë në kohë të pacaktuar. Unë do të kërkoj nga kolegët e mi kudo në Kosovë që të solidarizohen me kolegët e tyre në Kamenicë”, ka thënë ai./ZËRI/