Kur kanë mbetur edhe më pak se një muaj deri në ditën e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme, gjuha e kundërshtarëve politik veç sa po shkon e po bëhet më e ashpër.
Akuza e kundër-akuza po shpërndahen gjithandej nëpër takime me qytetarë, rrjete sociale e debate televizive. Rasti i fundit ishte ai i mbrëmshmi ndërmjet Dardan Molliqajt të PSD-së dhe Haki Abazit të Vetëvendosjes, të cilët u përplasën ashpër gjatë debatit, por edhe pas debatit në T7.
Edhe koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, është duke i përcjellë me shqetësim ballafaqimet e kandidatëve në debate publike për garën e vjeshtës.
“Gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në debate televizive në mes të kandidatëve, përveç që dëmton rëndë procesin zgjedhor, e minon vlerën e debatit dhe i kontribuon tensionimit të ambientit politik”, thuhet në reagimin e DnV-së.
Për më tepër, ata thonë se dhuna e ushtruar në çfarëdo forme është e pajustifikueshme dhe e papranueshme.
DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike.
Edhe Jetmir Bakija nga “Demokraci Plus” i tha InfoGlobit se fjalori politik është duke u ashpërsuar vitet e fundit, në Kuvend dhe në media. “Kjo vetëm sa e dëmton debatin politik që është shumë i domosdoshëm tek na sepse kemi sfida të mëdha, madje edhe jetike të shtetit”, thotë ai.
Bakija tutje thotë se ka akuza të bazuara, por edhe të pabazuara ndërmjet kandidatëve.
“Ka akuza që po bëhen me argumente pasi kemi pare ngecje të disa proceseve politike, juridike, ekonomike dhe sociale mirëpo ato akuza po treten në debat kur po shprehen ashpër dhe me sharje. Mirëpo ka edhe akuza të pabaza që po dalin si mungesë e argumenteve”, thotë Bakija.
Jetmir Bakija, organizata ‘Demokraci Plus’
Partitë politike ndonëse e dinë se fushata elektorale nis më 25 shtator, dhe ishte dashur të respektojnë këtë vendim të KQZ-së, kanë nisur një para-fushatë të ashpër elektorale.
“Kjo periudhë ishte dashtë të shfrytëzohet për të dëgjuar qytetarët, formuluar idetë politike për problemet e qytetarëve dhe përpilim të programit zgjedhor. Mirëpo, fushata vetëm se ka filluar dhe madje ka filluar ashpër më qasjen se kush po shahet më mire e kush po bërtet më shumë”, thotë tutje Bakija.
E analisti Armend Muja konsideron se lufta e ashpër do të bëhet duke u afruar dita e votimit.
Armend Muja, analist
“Rezultati i zgjedhjeve është i ngushtë ndërmjet 4 blloqeve politike. Pjesa më e hidhët e kampanjës dhe sulmeve do të përdoret në javën e fundit! Lufta nuk do te behet mbi koncepte”, thotë Armend Muja për InfoGlobin.
E Demokracia në Veprim fton Policinë e Kosovës, që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut. Institucionet e sigurisë duhet të garantojnë kushte për fushatë politike të qetë, me mundësi të barabarta për të gjitha subjektet politike për paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore.
Edhe Jetmir Bakija konsideron se nëse nuk merren masa të parandalohet gjuha e ashpër, deri në fund të fushatës do të shohim ashpërsi edhe më të madhe.
Më 6 tetor qytetarët e Kosovës mund të votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Me këtë ashpërsi si ka filluar fushata do të na qoj në një ashpërsim edhe më të tutje të debateve, madje edhe në përleshje fizike që vetëm i kemi pa disa raste. Në të ardhmen, procesi zgjedhor mund të eskaloj edhe me vrasje siç e kemi pare në disa vende tjera gjatë zgjedhjeve kur lejohet të ashpërsohet gjuha pa marr ndonjë masë”, thotë Bakija nga organizata “Demokraci Plus”.
Mbetet të shihet në ditët në vazhdim duke u afruar fushata zgjedhore se çfarë gjuhe do të përdoret ndërmjet kundërshtarëve politik të cilët po luftojnë për të fituar pushtetin për qeverisjen e ardhshme./InfoGlobi