Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka bërë të ditur se nuk ka rritje të shumës së gjobave, për subjektet politike që nuk e respektojnë kodin e mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, PZAP ka gjobitur disa parti politike me mbi 600 mijë euro. Por, njohës të procesit zgjedhor, theksojnë se dënimet duhet të rriten për partitë që e kanë shkelur kodin e mirësjelljes në fushatën e kaluar.
Për shkeljet e kodit të mirësjelljes, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i kishte shqiptuar gjoba partive politike që nuk e respektuan Kodin e Mirësjelljes në fushatën zgjedhore të vitit 2017. Kryesues i sekretariatit të PZAP-s, Mulë Desku, ka theksuar për Radio Kosovën se shuma e gjobave nuk është rritur, por ajo varet nga shkeljet që bëjnë subjektet politike.
“Ligji për zgjedhjet nuk ka ndryshuar, kështu që edhe sanksionet për shqiptimin ose përcaktimin e gjobave mbesin të njëjta. Mirëpo, shuma e gjobave varet varësisht prej natyrës së shkeljes së subjekteve apo kandidatëve që bëjnë shkelje gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë Desku.
Njohësi i procesit zgjedhor, Blerim Burjani, thotë për Radio Kosovën se duhet të ketë gjoba më rigoroze për partitë që e kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes gjatë fushatës së kaluar.
“Gjobat rigoroze do të kishin sjellë një disiplinim më të madh të partive politike. Për këtë arsye do të ishte mirë që të mendohet për ndryshimin e ligjit zgjedhor, ku do të përfshihej edhe rritja e gjobave për partitë që shkelin Kodin e Mirësjelljes” ka thën Burjani ë .
Burjani thekson se për shkak të shkeljes që bëjnë partitë e mëdha, e pësojnë më së shumti subjektet që janë më të vogla.
“Partitë e vogla duhet të kenë kujdes gjatë fushatës që mos të gjobiten nga PZAP. Sepse, nëse gjobiten dhe nuk e paguajnë dënimin atëherë ato nuk mund të certifikohen si subjekt juridik për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë Burjani.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për shkelje të ndryshme, i kishte gjobitur disa parti që morën pjesë në zgjedhjet e 2017-ës, thotë Mulë Desku.
“Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, janë gjobitur mbi 10 subjekte politike. Shuma e përgjithshme e gjobave të shqiptuara ndaj këtyre subjekteve politike, ka qenë 348 mijë e 900 euro. Gati të njëjtat subjekte janë gjobitur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ndërsa shuma e gjobave të shqiptuara ka qenë 257 mijë e 350 euro”, ka shtuar Desku.
Partitë politike kanë filluar fushatën ende pa nisur ajo zyrtarisht. Lidhur me këtë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë thënë se ligji për zgjedhje nuk parasheh sanksione për ato parti të cilat kanë filluar fushatën, madje ende pa u shpallur ajo zyrtarisht./rtklive/