Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, këtë vit listës së votuesve do t’i shtohen edhe 115 mijë të rinj që për arsye të ndryshme nuk kanë votuar më heret.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ata do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës që i takon.
Kështu tha për Insajderi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Në bazë të listës preliminare të votuesve për këto zgjedhje, kjo listë përmban 115 mijë e 215 emra të votuesve më shumë se sa lista përfundimtare të votuesve për zgjedhjet lokale të viti 2017”, tha Elezi, për Insajderin.
Tutje, Elezi tha se janë duke pritur certifikimin e listës përfundimtare të votuesve, për të parë se sa është numri i personave që i kanë mbushur 18 pas zgjedhjeve të vitit 2017.
“Jemi duke pritur certifikimin e listës përfundimtare të votuesve se sa nga këta votues i kanë mbushur 18 vjet në dy vitet e fundit, dhe sa janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror për votim”, tha Elezi.
Sipas listës preliminare të Komisioni Qëndror Zgjedhor, në Kosovë janë 1 milion e 972 mijë votues. Prej tyre 42 mijë e 300, janë votues nga diaspora, të cilët janë regjistruar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit që do të votojnë përmes postës.