Rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste nuk po mirëpritet nga shumica e bizneseve në Gjilan, me arsyetim se reduktimet e ditëve të punës, jo vetëm që u shkaktojnë humbje atyre, por edhe do të jenë të detyruar të reduktojnë numrin e punëtorëve, përderisa punëtorët dhe shoqëria civile kërkojnë që të dielave dhe gjatë ditëve të festave të mos punohet.
Bizneset e shumta gjilanase tashmë janë shprehur haptazi kundër këtij vendimi, edhe pse klasa punëtore në këtë rast është e dëmtuar.
Sot në Gjilan është organizuar dëgjim publik, i cili për herë të dytë me radhë, pasi që Kuvendi Komunal nuk kishte arritur ta miratonte këtë rregullore gjatë muajit maj të këtij viti, kur me shumicë votash ishte vendosur që rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste të shtyhet për në shtator.
Një përfaqësuese e punëtorëve, duke e mirëpritur rregulloren, tha se prej tetë vitesh ajo nuk ka mundur të jetë në shtëpi për Bajram, për arsye se i është dashur të punojë dhe në këtë ditë feste.