Përgjysmimi i numrit të ministrive po vazhdon të jetë premtim i partive politike tash e disa vjet me radhë. Ndonëse deri më tash një gjë e tillë ka mbetur vetëm zotim i politikanëve, LDK-ja dhe LVV-ja kanë ritheksuar së fundi se do ta realizojnë një plan të tillë posa të vijnë në pushtet. Ani pse tashmë ekziston një draftligj për Qeverinë, përfaqësuesit e shoqërisë civile mbeten skeptikë për jetësimin e këtij opsioni.
Kandidati i LDK-së për deputet, Driton Selmanaj, ka thënë se LDK-ja pos që do ta zvogëlojë numrin e ministrive, do t’i shuajë edhe pozitat e koordinatorëve nacionalë. “Si LDK kemi një plan konkret. Kemi ardhur në përfundim që definitivisht duhet ta zvogëlojmë kabinetin qeveritar. Qeveria nuk duhet të ketë më shumë se 12 ministri. Nuk do të ndalemi me kaq, por do t’i shuajmë edhe pozitat e koordinatorëve nacionalë”, ka deklaruar ai.
Gjatë një prononcimi për gazetën Selmanaj ka thënë se LDK-ja do t’i rishikojë edhe agjencitë e pavarura, gjegjësisht numrin dhe funksionalitetin e tyre. Tërë këto, siç ai është shprehur, janë në funksion të kursimeve që qeveria e LDK-së do t’i bëjë, shkruan gazeta “Zëri”.
Teksa ka folur për zotimin e LVV-së për zvogëlimin e numrit të dikastereve qeveritare në 12, kandidatja e Vetëvendosjes për deputete, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky subjekt dallon vetëm në një aspekt nga partitë e tjera. “Çështja që e bën dallimin ndërmjet LVV-së dhe subjekteve tjera është pikërisht për shkak se të gjitha partitë e tjera që kanë qenë në pushtet premtimet të cilat i kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore i kanë shkelur me të dyja këmbët sapo kanë marrë drejtimin e qeverisjes”, ka deklaruar ajo.
Ndaj në momentin që LVV-ja vjen në pushtet Haxhiu ka thënë se ndër veprimet e para që do t’i ndërmarrë do të jetë zvogëlimi i numrit të ministrive./ZËRI