Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi me qytetarë në Gjilan, ka kërkuar që të përkrahet koalicioni AAK-PSD, pasi që sipas tij, vetëm qeveria e tij mund t’i kryejë punët e nevojshme për Gjilanin dhe gjithë Kosovën.
Ai ka thënë se me zhvillimin e Gjilanit, forcohet edhe Lugina e Preshevës.
“Me shumë projekte zhvillimore ne mendojmë, se nëse e zhvillojmë Anamoravnë, kështu e përkrahim edhe Luginën”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka thënë se ka vetëbesimin e duhur se ka aftësitë menaxheriale dhe vendosmërinë për të marrë vendime.
“Gjilan ata që kërkojnë besimin e juaj, nuk mund të punojnë. Pse? Në aspektin menaxherial dhe zbatues jam rrit për shkak të sfidave të ndryshme”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka theksuar se qeverisja e tij do të hapë çerdhe, do të sigurojë shtesat për fëmijë, si dhe do t’i rrisë pagat e sektorit publik me 10% në vit.
Në fund, Haradinaj i është drejtuar kandidatit për deputet nga kjo anë, Ahmet Isufit, duke i thënë se së bashku do të vijnë të festojnë në Gjilan më 6 tetor.
“Ahmet, ia vlen të fitohet në Gjilan. Shpresoj që më 6 tetor, përveç në Prishtinë do të kthehemi edhe në Gjilan për të festuar. Urime fitorja!”, tha Haradinaj