Me rastin e Ditës Botërore për Monitorimin e Ujit, 18 shtatorit, në kuadër të planit të veprimit me Dorsch – CDI, KRU “Hidromorava” ka organizuar aktivitete në bashkëpunim me Drejtorinë komunale të Arsimit në Gjilan, me ç’rast kanë mbajtur ligjëratë sensibilizuese me nxënësit e shkollave të mesme, me moton “Uji për shëndetin, Kursimi i ujit”.
Gjatë këtij aktiviteti, përfaqësuesit zyrtarë të KRU “Hidromorava” kanë shpërndarë mbi 1 mijë fletushka, teksa kanë prezantuar edhe materialin e përgatitur për të vetëdijesuar nxënësit se si të kursehet uji i pijshëm.
Aktiviteti, njëherësh edhe materialet përcjellëse janë përgatitur pikërisht në kohën kur Komuna e Gjilanit, po përballet me mungesë dhe thatësi të uji të pijshëm.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte doktoresha, Igballe Qerimi nga IRSHP, e cila në fund ka folur rreth ujit dhe shëndetit, ku edhe këshilloi nxënësit për kursim të ujit.
18 shtatori karakterizohet si “Dita Botërore e Monitorimit të Ujit”, e cila u krijua në vitin 2003 nga Fondacioni i Ujit të Pastër të Amerikës, si një program global i edukimit në terren.