Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sonte në mesnatë ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit.
Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, duke shprehur bindjen për fitoren e LDK-së, tha se kjo parti është parti e qytetarëve, ndërsa, të tjerat parti janë të pronarëve.
Osmani në hapje të fushatës tha se fitorja e LDK do të jetë historike.
“Tash fillojmë me fitoren historike të LDK-së dhe të Kosovës. Natyrisht që fitorja e LDK-së është edhe fitorja e Kosovës. LDK është e vetmja parti e qytetarëve, sepse të tjerët janë parti me pronarë. Tash e tutje qytetarët do t’i shohin veprat tona dhe punë të tona të ndershme, për të cilat do të krenohet secili prej tyre”, tha Osmani, e cila shoqërohej nga nënkryetarët e partisë, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri dhe kandidatë për deputetë.
Ndërsa, shefi i shtabit zgjedhor në LDK, Lutfi Haziri duke ftuar simpatizantët e LDK në tubimin elektoral për të prezantuar kandidatët për deputet, tha LDK do të jetë fituese në këtë zgjedhje, ndërsa, pati një porosi për partitë tjera.
“Sot në orën 19:00 në mbrëmje, Prishtina, zbritni në shesh në papuqe… Manifestimi më i madh që ka me ndodhë sot në Prishtinë, është falë juve. Ne ju mirëpresim, e atyre të tjerëve, ju themi: fleni – fleni”, tha Haziri.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë tubimin e parë zyrtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 19:00.
Fushata zgjedhore zgjatë dhjetëditëshe, zgjat deri më 4 tetor, derisa zgjedhjet parlamentare mbahen më 6 tetor. /Telegrafi/