Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se do t’i rrisë pensionet deri në 80 për qind dhe kontributdhënësit me përvojë pune nën 15- vjeçare do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës.
“Është përgjegjësi morale që të tregojmë mirënjohje ndaj të moshuarve për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që ata të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Ne e kemi inkurajuar gjithmonë solidaritetin mes gjeneratave dhe shtetit do t’i japim rol shumë më aktiv për t’u kujdesur për të gjithë të moshuarit.
Para përfaqësuesve të pensionistëve, si kryeministër i ardhshëm u zotova se do t’i rris pensionet e tyre deri në 80 për qind. Po ashtu, të gjithë pensionistët kontributdhënës me përvojë pune nën 15 vjeçare, që aktualisht janë në skemën e pensioneve themelore, do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës”, ka shkruar ai.
“Ata do të marrin pensione me rritje, sipas përqindjes së përshkallëzuar, bazuar në kohëzgjatjen e viteve të punës dhe në kriteret e strukturës kualifikuese”.
Veseli tha se qeveria e re e udhëhequr nga ai do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65 vjeçare.
Gjithashtu, i pari i PDK-së u premtoi pensionistëve se të rinjtë nuk do të largohen nga vendi i tyre.
“Të gjithë pensionistët i siguroj se nipat dhe mbesat e tyre më nuk do të largohen, por do të qëndrojnë në Kosovë”, përfundoi ai.