Veseli ka thënë se vetëm pak ditë na ndajnë nga vendimmarrja qytetare që do të jetë referendum popullor, njofton Klan Kosova.
Lideri i PDK-së ka thënë se në fokus të tyre është punësimi për të rinj, fuqizimi i ndërmarrësve, i arsimit, i shëndetësisë, i policisë dhe i çdo sektori e çdo punëtori.
”Nuk është në të mirën e Kosovës të ketë një koalicion të korrupsionit dhe izolimit. Shefit të LDK-së [Isa Mustafës] i them miqësisht si profesor dhe si intelektual, se edhe ai e di sikurse unë, sepse kemi qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e di se çfarë qëndrimi ka Amerika për Kurtin dhe çfarë qëndrimi e ka [Albin] Kurti për Amerikën”.
”Kosova jonë është në udhëkryq, me shumë dilema dhe nuk i duhet koalicioni i izolimit dhe korrupsionit, pavarësisht ambicieve që mund t’i kenë. Nuk i kemi dërguar ne 72 lëndë të korrupsionit për Isa Mustafën në Prokurori. A i duhet koalicioni i izolimit dhe korrupsionit Kosovës? A i sjellë perspektivë Kosovës koalicioni i izolimit dhe korrupsionit?”, është shprehur Veseli.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se duhet të bëhemi bashkë të gjithë si në vitin 1999, kur edhe e kemi arritur suksesin më të madh si vend bashkë me Amerikën.
”Kur jemi bashkë me Amerikën, e luftojmë më fuqishëm edhe korrupsionit e nepotizmin. E zhvillojmë më shumë ekonominë, ndërmarrësinë dhe sjellim investitorë të huaj”, u shpreh Veseli.
Ai ka thënë se qeverisja e tij do t’i japë përkrahje rinisë inovatore, fermerëve, ndërmarrësve dhe nuk do të ketë asnjë tatim të ri, por do të ulën ato që janë aktualisht, për të pasur më shumë prodhim, më shumë punësim dhe zhvillim.