Salla e madhe shkollës fillore në Velekincë, e cila e mban emrin e kolosit të kombit, Mulla Idriz Gjilani, ishte hapësirë e vogël për t’i zënë të gjithë simpatizantët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmanit dhe pesë kandidatëve për deputetë: Lirije Kajtazi (6), Fatmir Rexhepi (20), Valentina Bunjaku Rexhepi (21), Imet Rrahmani (35) dhe Faton Bislimi (44).
Gjatë adresimit para të qindra simpatizantëve, kryetari i Shtabit Zgjedhor të Degës, Arben Mehmeti, tha se Velekinca gjithmonë është rreshtuar në rrugë të drejtë, prandaj nuk ka dilemë se edhe kësaj radhe do ta mbështesin fort programin e LDK’së, Vjosa Osmanin dhe kandidatët për deputetë nga Gjilani, më 6 tetor.
Ndërsa, kryetari i nëndegës së Velekincës, Salih Kqiku, ka deklaruar se ndihet krenar që edhe kësaj radhe, sikur edhe herave të tjera, po e mbështesin në mënyrë masive LDK’në, Vjosa Osmanin dhe kandidatët për deputetë.
Kandidatët për deputetë nga radhët e LDK’së, kanë falënderuar të gjithë të pranishmit për mbështetjen masive.
Lirije Kajtazi, e cila mban numrin 6, tha se jemi bashkë në Velekincë për të reflektuar pozitivitet dhe unitet dhe me këtë vrull të shtabit Shtabit të LDK’së në Gjilan, për ta çliruar vendin nga ata që e kanë uzurpuar, për një Kosovë zhvillimore në të gjitha aspektet.
Kandidati Fatmir Rexhepi (20), ka nënvizuar se gjitmonë LDK e ka pasur përkrahjen e Velekincës, kësaj radhe duhet mbështetja pasi është jetike për Kosovën, për ndryshimin e madh të progresit, prosperiteti dhe zhvillimit.
Kandidatja Valentina Bunjaku Rexhepi (21), pohoi se kjo armatë që është rreshtuar këtu, është garanca e madhe e mbështetjes së LDK’së për të triumfuar më 6 tetor, duke e votuar ekipin e partisë së Ibrahim Rugovës.
Kandidati Imet Rrahmani (35), falënderoi të pranishmit për mbështetjen, duke thënë se kështu të fortë, një pesëshe në Kuvend të Republikës, do të jenë një zë i fuqishëm i tyre për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve.
Në fund, kandidati për deputet, Faton Bislimi (44), ka potencuar se sot po e përcojmë mesazhin e madh nga Velekinca më 6 tetor, duke shtuar se nuk ka zgidhje më të mirë për ta pasur një kryeministre si Vjosa Osmani dhe nuk ka listë më të mirë se ajo e LDK’së.
Në tubim kanë marrë pjesë edhe familja e heroit të kombit, Mulla Idriz Gjilani.