Qytetarët e Kosovës, sot (6 tetor), nga ora 07:00 deri në orën 19:00, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Në këto zgjedhje parlamentare, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 kosovarë, që do të kenë mundësinë të votojnë për partitë apo kandidatët e tyre të preferuar për deputet.
Për zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.
Të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit kanë saktësisht 1 milion e 937 mijë e 869 votues. Në këto zgjedhje janë më shumë se 100 mijë votues të ri.
Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje do të hapen 895 qendra të votimit me gjithsejtë 2 mijë e 547 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.00.
Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim”.
Procesi zgjedhor i 6 tetorit do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian. Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.