Dy partitë opozitare në legjislaturën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pranë ngjitjes së rrugës drejt formimit të Qeverisë së re. Kjo pasi Vetëvendosja, e cila doli partia e parë më e votuar në Kosovë, ka lënë derën hapur për koalicion me LDK-në, marrëveshje të cilën nuk e ka përjashtuar as LDK-ja.
Ndërsa kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë që gjasat janë reale që Qeverinë e ardhshme Vetëvendosja ta formojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Besoj se është shumë e rëndësishme që dy subjektet opozitare të cilat kanë marrë shumë përkrahje ta formojnë Qeverinë dhe gjasat janë maksimale të kemi një bashkëpunim në Qeverinë e re me LDK-në siç kemi filluar bashkëpunimin qysh para zgjedhjeve. Besojmë se do të kemi një qeverisje stabile dhe shpresojmë që kjo të arrihet sa më parë. Po presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe pastaj shumë shpejt do të vazhdojmë përpara”, ka thënë Nagavci për ‘Zërin’.
Nagavci është shprehur optimiste se bisedimet për formimin e Qeverisë së re do të jenë konstruktive dhe do të finalizohen shumë shpejt.
Kurse nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se momentalisht mandati për Qeverinë e re i takon liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit. Ai theksoi se nuk do të nisin negociatat për qeverinë e re përderisa nuk përfundon numërimi i të gjitha votave.
“Rezultati është shumë i ngushtë dhe ne jemi duke e pritur numërimin e të gjitha votave, duke përfshirë votat me kusht, votat e diasporës dhe votat për deputetët, pastaj fillon procesi i negociatave. Dallimi është i vogël, një deputet, por që ia jep mandatin (për formimin e Qeverisë) liderit të Vetëvendosjes”, ka potencuar ai. /ZERI