Përfaqësuesit e dy subjekteve më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, LVV-së dhe LDK-së, janë zotuar se nuk do të ketë dialog me Serbinë, i cili do të shkojë në dëm të Kosovës. Por vlerësohet se zgjidhja përfundimtare e këtij procesi mund të mos jetë plotësisht e favorshme për Republikën e Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Sikurse zyrtarët e LVV-së, edhe ata të LDK-së kanë konsideruar se para se të ketë rivazhdim të dialogut duhet të ketë vlerësim të procesit të deritanishëm.
Negociatat pastaj sipas tyre duhet t’i udhëheqë Qeveria e Kosovës e jo presidenti.
“Normalisht për këtë çështje presim bashkërendim të të gjitha forcave në vend, por Qeveria është ajo që e merr komplet barrën e udhëheqjes së dialogut, gjithmonë duke i ruajtur interesat e shtetit të Kosovës”, ka theksuar Haxhi Avdyli, kandidat për deputet nga LDK-ja.
LDK-ja sipas rezultateve preliminare ka dalë partia e dytë nga zgjedhjet, ndërkohë zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se në ditët në vijim do ta harmonizojnë programin me LVV-në për të bashkëqeverisur.
Qeveria e ardhshme sipas Avdylit do të mundë t’i zgjidhë të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, duke përfshirë këtu edhe çështjen e dialogut.
“Qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe për këtë qeveri që mund t’i zgjidhë këto sfida. Nuk ka sfidë që nuk mund ta zgjidhim, sepse për këtë e kemi marrë besimin e qytetarëve”, ka thënë Avdyli për “Zërin”.
Dialogu sipas tij do të vazhdojë, por assesi në dëm të qytetarëve, të shtetësisë, të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës. /ZERI