Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon këtë të diel në Gjilan, ku do të zhvillohet gara e radhës në disiplinën auto sllallom.E veçanta e garës është fakti se ajo do të zhvillohet në të dyja konkurrencat (meshkuj dhe femra), ndërsa interesimi është mjaft i madh.
Gara mbahet në rrugën “Marie Shllaku” në Gjilan dhe organizohet në bashkëpunim të AK Eurogoma RT, AK Gjilani dhe Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK).
Gjatësia e shtegut është 1500 metra, ndërsa gara do t’i ketë dy vozitje.Paraqitja në garë bëhet nga ora 09-10:00 (meshkujt) dhe nga 10:00-11:00 (femrat).
Më pas bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe kontrollimi teknik i veturave dhe pas procedurave tjera të zakonshme do të mbahet vozitja testuese, ndërsa ajo zyrtare pritet të fillojë në orën 13:00.
Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve dhe Ndihma e Shpejtë do të jenë aty për çdo eventualitet, ndërsa janë marrë të gjitha masat që gara të zhvillohet në mënyrën më të mirë.