Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se nesër pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave nga 530 vendvotimet dhe pas këtyre të fillohet me votat tjera të mbetura.
“Deri mbrëmë janë rinumëruar 390 vendvotime nga 530 dhe sot sërish do të vazhdojë procesi me 140 vendvotimet e mbetura dhe për të përmbyllur procesin e rinumërimit”.
“Këto vendvotime të mbetura kanë edhe numrin më të madh të pjesëmarrjes në zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe ndoshta këto marrin më shumë kohë”.
“Besojmë që nesër do të arrijmë të mbyllim këtë rinumërim për t’i hapur rrugë numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuar”.
“Menjëherë pas rinumërimit besoj që do të numërojmë ato me kusht dhe të personave të veçanta. Të gjitha këto do të fillojnë të numërohen se shpejti dhe do t’i bashkohen rezultatit të përgjitshëm”.
Elezi në Sytë 7 ka thënë se këto zgjedhje kanë qenë të mira duke e pasë parasysh edhe sfidën e kohës së përgatitjes së KQZ-së. Ai gjithashtu tregoi edhe pse ndodh që disa vota të shkojnë në rinumërim.
“Arsyeja pse disa vota duhet rinumëruar është se kur ato vijnë në QNR ku grumbullohet materiali zgjedhor bëhet evidentimi i tyre dhe futen në sistem e e ku mund të evidentohen parregullsitë”.
“Kësaj herë gabimet kanë qenë për shkak të gabimit teknik të formularëve të KQZ-së. 530 vendvotimet e fundit problemet kanë qenë në mospërputhjen e votave të subjekteve dhe kandidatëve”.
“Rinumërim ka pasë edhe në proceset zgjedhore të kaluara dhe janë të domosdoshme për të saktësuar gjendjen e një vendvotimi. KQZ ka thënë edhe në të kaluarën se saktësia e procesit është e domosdoshme dhe jo shpejtësia. Për ne ka rëndësi çdo votë që hidhet në kuti”.
Elezi ka thënë se numri i 40 mijë votave të pavlefshme është i madh por do të analizohen arsyet pse po ndodh kjo. Ai tha se edhe herët e kaluara ka pasë vota që qëllimisht janë bërë të pavlefshme, por edhe të tilla që votuesit nuk kanë ditur t’i plotësojnë formularët. Për këtë ai i mbetet KQZ që të bëjë sa më shumë fushata dhe për të përçuar mesazhin te secili votues.