Në fund të kësaj jave pritet të marrë fund procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e 6 tetorit. Kështu kanë deklaruar për gazetën “Zëri” zyrtarë të Qendrës për Numërime dhe Rezultate (QNR). Ata kanë bërë të ditur se dje janë rinumëruar 70% e vendvotimeve, nga 530 sa janë gjithsej, shkruan Gazeta “Zëri”.
Burim Ahmetaj,ka thënë se sot do të jenë të rinumëruara 70% të votave nga 530 vendvotime.
“Aktualisht jemi në procesin e rinumërimit të 530 vendvotimeve. Procesi është duke rrjedhur normalisht dhe deri më tani janë rreth 318 vendvotime të rinumëruara, ose në përqindje 60%. Gjatë ditës së sotme konsiderojmë se do të mundë të arrijmë diku rreth shifrës 70% të vendvotimeve të rinumëruara, në mënyrë që pjesa tjetër të kryhet në ditët në vazhdim”, ka thënë ai.
Sot, sipas Ahmetajt, do të mbeten edhe 30% të vendvotimeve për t’u rinumëruar dhe, sipas tij, ky proces do të marrë edhe tri ditë kohë. Ndërkaq pas përfundimit të rinumërimit do të fillojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta, për të cilat Ahmetaj tha se duhen dy ditë të plota.
“Sa i përket numërimit, jemi me kohën, nesër do t’i kemi edhe 30% të vendvotimeve për t’i rinumëruar, që konsideroj se brenda dy, maksimumi 3 ditësh të kompletohen. Pastaj do të hapet rruga e numërimit të votave me kusht, që përafërsisht numërimi i tyre na i merr dy ditë të plota”, ka deklaruar Ahmetaj.
Ai më tutje tha se, duke llogaritur në tërësi, pritet që në fundjavë të jenë të numëruara të gjitha votat dhe të përfundojë procesi i numërimit për zgjedhjet e 6 tetorit.
“Duke llogaritur aktualisht ku jemi dhe të gjitha intervalet kohore që i përmenda, tash besoj se në fundjavë do t’i kemi këto procese të kompletuara”, ka përfunduar ai.
Ndërkaq zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, duke folur për “Zërin”, tha se ky organ është duke u munduar ta përmbyllë këtë proces së paku në afatet e njëjta kohore, siç kishte bërë në dy palë zgjedhjet e kaluara.
“Në vitin 2014 nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve ishin plot 27 ditë, kurse në vitin 2017 një ditë më shumë. KQZ-ja po bën përpjekje maksimale për të arritur të paktën të njëjtat afate”, ka deklaruar Elezi.
Ndërsa certifikimi, sipas Elezit, parashihet të bëhet pasi të përfundojnë të gjitha çështjet në ankesat e mundshme që subjektet politike dhe kandidatët mund t’i parashtrojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme për rezultatin përfundimtar të shpallur nga KQZ-ja. /ZERI